Kina mund ta pushtojë Tajvanin brenda gjashtë vjetësh, pasi që Pekini po mundohet ta zëvendësojë pushtetin e ushtrisë amerikane në Azi, ka paralajmëruar të mërkurën një komandant amerikan.
Tajvani ka qenë në rrezik të vazhdueshëm nga okupimi kinez, pasi që fuqia më e madhe aziatike e sheh atë si pjesë të territorit të saj. Komandanti ushtarak, admirali Philip Davidson, është shprehur i shqetësuar rreth përpjekjeve të Kinës për ta zënë vendin e Shteteve të Bashkuara në këtë territor, deri në vitin 2050. Sipas tij, Tajvani është qartazi në shënjestër dhe ky rrezik do të mund të materializohej brenda gjashtë vjetësh.
Tajvani është ndarë nga Kina në fund të luftës civile të vitit 1949. Partia Komuniste e sheh Tajvanin si pjesë të Kinës dhe është shprehur e gatshme për përdorimin e forcës në mbrojtje të tij. Udhëheqja tajvaneze dhe një pjesë e madhe e popullsisë mohojnë pretendimet e Kinës.
Tensionet ndërmjet palëve janë shtuar, qëkur Pekini i ka ndërprerë kontaktet zyrtare me Tajvanin pas ardhjes në pushtet të lideres, Tsai Ing-wen, më 2016.