Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara dënuan të shtunën shtypjen me dhunë nga junta ushtarake e Mianmarit të protestave masive. Ata e cilësuan “të papërligjshme” dhunën e shfaqur sot pas raportimeve se nga autoritetet u vranë mbi 90 persona.
Një studiues i pavarur në Yangon, i cili përpiloi shifrat e vdekjeve në kohë reale, tha se të shtunën kanë humbur jetën 93 persona në të gjithë Mianmarin, shifër që përbën numrin më të lartë ditor që nga grusht shtetit më 1 shkurt.
Deri të premten, numri i të vdekurve që nga grushti i shtetit nga junta ushtarake shënonte 328. Kjo shifër u dha nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë, një grup që dokumenton vdekjet dhe arrestimet. Megjithatë, kjo shoqatë ka paralajmëruar që numri aktual i viktimave me gjasë është shumë më i lartë.
Kombet e Bashkuara thanë se kanë marrë raporte për persona të vrarë, përfshirë fëmijë, si dhe për qindra njerëz të plagosur. Duke e dënuar dhunën si “tronditëse”, Kombet e Bashkuara komentuan mbi paligjshmërinë e grushtit të shtetit dhe fajësinë e udhëheqësve të tij.