India përsëri shënoi rekord të rasteve ditore me Covid-19 me 386.452 të infektuar të rinj në 24 orët e fundit. Ndërkohë të gjitha qendrat e vaksinimit në Mumbai u mbyllën për tri ditë për shkak të mungesës së dozave.
Përpos shifrës rekorde të infektimeve, India të premten regjistroi edhe 3.498 të vdekur për një ditë, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë.
Megjithatë, ekspertët mjekësorë besojnë se shifrat e vërteta të pandemisë në shtetin e dytë për nga numri i popullsisë në botë mund të jenë deri në dhjetë herë më të larta se numrat zyrtarë.
India është në krizë të thellë me pandeminë. Spitalet janë të stërmbushura me pacientë, ndërsa morgët me trupa të pajetë. Ilaçet dhe oksigjeni mjekësor nuk ndodhen në sasi të mjaftueshme.
Disa shtete kanë filluar t’i dërgojnë ndihma mjekësore Indisë. Aeroplani i parë nga Shtetet e Bashkuara, me bombola oksigjeni, maska dhe pajisje tjera, arriti në kryeqytetin indian të premten.