Aktivistja Chow Hang Tung është arrestuar nga policia e Hong Kongut, në 32 vjetorin e shtypjes së protestave në Sheshin Tiananmen, më 1989, pasi kishte bërë thirrje të vazhdueshme që të shënohet kjo ngjarje edhe pse autoritetet kineze kanë ndaluar çdo formë të shënimit të këtij përvjetori.
Hong Kong dhe Macau janë vendet e vetme në tërë Kinën ku njerëzit kanë mundur të përkujtojnë shtypjen e përgjakshme të protestave pro-demokracisë, më 1989. Por këtë vit, autoritetet ndaluan tubimet në të dy këto vende, duke thënë se tubimet shkelin ligjet vendore.
Megjithatë, zonja Chow vazhdoi t’u bënte thirrje banorëve të përkujtonin përvjetorin në mënyrat e tyre.
“Ndizni dritat kudo që të jeni – qoftë në telefonin tuaj, qirinjtë apo qirinjtë elektronikë”, kishte postuar ajo në Facebook një ditë para arrestimit.
Zonja Chow u arrestua të premten, herët në mëngjes, jashtë zyrës së saj, nga policë me rroba civile, sipas raporteve të mediave ndërkombëtare.
Duke folur për BBC pak përpara arrestimit të saj, zonja Chow, avokate dhe aktiviste e të drejtave të njeriut, tha se ajo ishte e përgatitur për të pashmangshmen.
“Unë jam e përgatitur që të arrestohem. Kështu është tani në Hong Kong. Nëse luftoni për demokraci nën një regjim autoritar, arrestimi është i pashmangshëm”, tha ajo .
Turma të mëdha mblidhen çdo vit në “Victoria Park” të Hong Kongut për të shënuar përvjetorin e intervenimit të trupave kineze kundër protestave paqësore pro-demokracisë në Sheshin Tiananmen të Pekinit, më 4 qershor 1989. Intervenimi ishte dënuar nga tërë bota. Vlerësimet për numrin e viktimave flasin për qindra deri në mijëra viktima.
Vitin e kaluar tubimet nuk ishin mbajtur për shkak të pandemisë.
Ndërsa këtë vit është hera e parë që në Hong Kong provohet të përkujtohet Tiananmen që nga miratimi i një ligji të ri kontrovers, që synon të ndalojë lëvizjet pro-demokratike. Rreth 100 njerëz janë arrestuar që kur u miratua “Ligji i Sigurisë Kombëtare”.
Hong Kong ishte koloni britanike deri më 1997, kur i u transferua Kinës. Si një rajon i veçantë administrativ, Hong Kong mban sisteme të veçanta qeverisëse dhe ekonomike nga ajo e Kinës, nën parimin e “një vendi, dy sistemeve”. Por, aktivistët pro-demokracisë në Hong Kong pohojnë se ky sistem është duke u eleminuar nga autoritetet kineze.
Në Kinë, autoritetet kanë ndaluar madje edhe referencat e zhdrejta për ngjarjet e 4 qershorit. Në internet, çdo diskutim për protestat në Tiananmen është rreptësishtë i censuruar.
Tajvani e përkujton përvjetorin çdo vit, duke e shfrytëzuar datën për të kritikuar Kinën dhe për të nxitur Pekinin të nisë një reformë të vërtetë politike.
Në faqen e vet në Facebook, Presidentja Tsai Ing-wen e Tajvanit shkruajti: “Unë besoj se të gjithë tajvanezët janë krenarë për lirinë dhe demokracinë e tyre nuk do ta harrojnë kurrë këtë ditë dhe do të qëndrojnë të fort në besimin e tyre, të palëkundur nga stuhitë”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Amerika qëndron me popullin e Kinës në luftën e tyre për të drejtat e njeriut, duke shtuar se SHBA nderon “sakrificat e atyre që u vranë 32 vjet më parë dhe aktivistët e guximshëm që vazhdojnë përpjekjet e tyre sot përkundër shtypjes së vazhdueshme nga ana e qeverisë”.