Ekspertët amerikane të tregtisë po vëzhgojnë me kujdes efektet e një prej pakteve më të mëdha në botë të tregtisë së lirë, ndërsa ai po shkon ngadalë drejt ratifikimit duke i bërë disa nga aleatët më të afërt aziatikë të Uashingtonit pjesë të një blloku ekonomik që përfshin Kinën, por që lë mënjanë Shtetet e Bashkuara.
Analistët në Australi dhe Zelandën e Re, dy vende nënshkruese të atij që njihet si Partneriteti Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal, ose PEGJR, ndajnë mendime të ndryshme mbi marrëveshjen, duke argumentuar se ajo ofron si përfitime ashtu edhe sfida për Shtetet e Bashkuara.
Nënshkruar në nëntor 2020, pas tetë vitesh negociata, PEGJR bën bashkë të 10 anëtarët e Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) si dhe Australinë, Kinën, Japoninë, Zelandën e Re dhe Korenë e Jugut. Së bashku këto vende përbëjnë rreth 30 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në nivel global.
Kina, Japonia dhe dy vende të ASEAN-it e kanë ratifikuar tashmë paktin. Por që të hyjë në fuqi, duhet të ratifikohet edhe nga katër anëtarë të tjerë të shoqatës si dhe një vend tjetër joanëtar i ASEAN-it.
Negociatat për PEGJR-në u lanë në hije për një kohë të gjatë nga bisedimet e mbështetura nga Uashingtoni mbi Partneritetin e Trans-Paqësorit ose PTP, një marrëveshje tregtare rivale e cila do të përfshinte Shtetet e Bashkuara dhe disa nga fqinjët e saj të hemisferës perëndimore, ndërsa përjashtonte Kinën.
Por falë kundërshtimit të çdo marrëveshjeje të re të tregtisë së lirë në diskutimet që po zhvilloheshin me intesitet në Uashington, ish-Presidenti Donald Trump nxori SHBA-në nga PTP-ja, duke i hapur rrugën përpara Partneritetin Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal.
"Ndikimi për Shtetet e Bashkuara është i qartë", thotë Patrick Quirk drejtor i Institutit Ndërkombëtar Republikan dhe një bashkëpunëtor jorezident në programin e politikës së jashtme të Institutit Brookings me qendër në Uashington.
"PEGJR-ja mund të ofrojë përfitime për Kinën", tha zoti Quirk në një intervistë. "Pekini padyshim do të mbështesë ndërvarësinë ekonomike në rritje duke ndikuar mbi disa aleatë rajonalë të SHBA-së".
Zoti Quirk shtoi se PEGJR-ja "e dobëson avantazhin relativ ekonomik të Uashingtonit ndaj vendeve anëtare".
Por disa analistë me bazë në Azi thonë se frika amerikane rreth marrëveshjes (PEGJR) mund të jetë e mbivlerësuar.
“PEGJR-ja mund të nxisë që një përqindje edhe më e ulët e tregtisë së vendeve pjesë e këtij pakti, të bëhet jashtë bllokut, përfshirë edhe SHBA-në", thotë Jeffrey Wilson, drejtor i kërkimeve në Qendrën Perth për SHBA-Azinë në Australi.
Por thotë ai “PRGJR-ja i shërben SHBA-së duke mbështetur integritetin e sistemit global të tregtisë. Ndërsa administrata e Biden kërkon të mbrojë sistemin e bazuar në rregulla të tregtisë nga kërcënimet e shfaqura, pakti tregon se qeveritë e Indo-Paqësorit janë të përkushtuara ndaj së njëjtës axhendë".
Shiro Armstrong, drejtor i Qendrës Kërkimore për Australi-Japoninë në Universitetin Kombëtar Australian, ofroi një qasje të ngjashme, duke thënë se pakti do të kishte "rezultate të ndryshme" për Shtetet e Bashkuara.
"Është e vështirë të thuash që Shtetet e Bashkuara do të jenë humbësi i madh, pasi është më e komplikuar se aq”, tha ai për “Zërin e Amerikës”. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të jenë në një situatë relativisht më të vështirë në disa tregje, por PEGJR-ja do të ndihmonte në mbajtjen e tregjeve në këtë pjesë të botës të hapura, në një kohë kur proteksionizmi është në rritje.
Jane Kelsey, profesore në Universitetin e Auckland-it në Zelandën e Re, argumentoi se ish-Presidenti Barack Obama nxiti "shumë keqkuptime" në lidhje me PEGJR-në dhe potencialin e saj për të rritur ndikimin kinez, në një përpjekje për të avancuar Partneritetin e Trans-Paqësorit, pavarësisht kundërshtive.
Por shumë nga Zelanda e Re ishin më të shqetësuar për ndikimin e tepruar të SHBA-se thotë zonja Kelsey. “Në Zelandën e Re janë zhvilluar protesta masive kundër PTP-së dhe praktikisht nuk kishim asnjë kundër PEGJR-së".
Senatori australian Eric Abetz tha për “Zërin e Amerikës” se aleatët e SHBA-së në rajon menduan se nuk e kishin luksin të mos ishin pjesë e Partneritetit Ekonomik Githëpërfshirës Rajonal, por thanë se do ta bënin këtë me kujdes.
"Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë miku dhe aleati ynë më i rëndësishëm strategjik dhe kjo nuk do të ndryshojë, por duke qenë në këtë anë të botës, është e kuptueshme për ne që të jemi pjesë e një blloku tregtar shumë të rëndësishëm", tha ai.
"Disa e shohin PEGJR-në si një marrëveshje që avancon potencialisht pozitat e Kinës dhe kjo është diçka që ne do ta monitorojmë nga afër", shtoi ai.