Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett ka thënë se shteti ka bërë një marrëveshje me Pfizerin për të pranuar një kontingjent të ri të vaksinave në muajin gusht.
Bennett ka deklaruar në mbledhjen e qeverisë se dozat e reja të Pfizerit do të përdoren për të vaksinuar adoleshentët.
Sipas tij, Izraeli ka vaksinuar mbi 200,000 njerëz vetëm në javët e fundit. Shumica prej tyre ishin adoleshentë, ka bërë të ditur ai, derisa fëmijët nën moshën 13-vjeçare ende nuk kanë filluar të vaksinohen.
Izraeli po përpiqet që të ndalojë shpërthimin e një vale të re të pandemisë si pasojë e variantit Delta.
Deri më tani, ky shtet ka vaksinuar mbi 61% të popullatës së saj prej 9,3 milionë banorësh me njërën dozë të vaksinës dhe 56% me të dy dozat. Shumica prej vaksinave ishin të Pfizerit.
Ministria e Shëndetësisë e Izraelit ka paraqitur rritje të rasteve të reja me infektime në javët e fundit, shumica prej të cilave ishin fëmijë të pavaksinuar.