Zhvillimi i Lojërave Olimpike në Japoni ka shtuar numrin e rasteve të infektimeve me Covid-19 në vend.
Sipas zyrtarëve, vetëm në kryeqytetin japonez, ku po mbahet edicioni i 32 i Lojërave ka shënuar 2.848 raste të reja Covid të martën.
Numri më i lartë i shënuar që prej fillimit të pandemisë, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të 2.520 rasteve ditore më 7 janar.
Në mesin e të infektuarve është edhe sportisti italian, Bruno Rosetti, i garave të kanotazhit. 33-vjeçari është izoluar menjëherë, ndërsa mediat italiane pohojnë se ai kishte marrë të dy dozat e vaksinës Moderna.
Tokio po përjeton gjendjen e saj të katërt të jashtëzakonshme nga Covid-19, e cila pritet të vazhdojë gjatë Olimpiadës deri pak para fillimit të Lojërave Paralimpike në fund të muajit Gusht.
Kryeministri Joshihide Suga u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin daljet jo-thelbësore, ndërsa shtoi se pezullimi i Lojërave nuk është një ide të paktën për momentin.