Militantët talibanë, që kanë marrë nën kontroll pjesë të mëdha të Afganistanit, të dielën kanë filluar të hyjnë në qytetin e Kabulit, kanë raportuar mediat ndërkombëtare, duke rritur frikën se Qeveria afgane do të bie.
Një zyrtar afgan i ka thënë AP-së se negociatorët talibanë janë nisur drejt Pallatit presidencial për t’u përgatitur për “transferimin” e pushtetit. Ky zyrtar tha se qëllimi është që të ketë një transferim paqësor të pushtetit te militantët talibanë.
Ndërkaq, një zëdhënës i talibanëve ka konfirmuar për Radion Azadi se bisedimet po zhvillohen për marrjen e pushtetit në mënyrë paqësore, por ai nuk ka dhënë më shumë detaje.
Më herët, Pallati presidencial në Afganistan tha se kanë dëgjuar të shtëna armësh në disa pika përreth Kabulit, por forcat e sigurisë, në koordinim me parnerët ndërkombëtarë, e kanë kontrollin e qytetit.
"Mos bëni panik. Kabuli është i sigurt", tha në Twitter, Matin Bek, shef i stafit të presidentit afgan, Ashraf Ghani.