Katër palestinezë të vrarë në përleshje me izraelitët

Azia

Katër palestinezë të vrarë në përleshje me izraelitët

Më: 16 gusht 2021 Në ora: 14:16
Përleshje mes palestinezëve dhe forcave izraelite. Maj 2021.

Katër palestinezë janë vrarë si pasojë e përleshjeve gjatë bastisjeve izraelite për të arrestuar një të dyshuar në Bregun Perëndimor, kanë thënë burimet lokale.

Policia izraelite ka thënë se forcat janë përleshur pas hyrjes në kampin e refugjatëve Jenin, për të arrestuar të dyshuarin nga grupi islamist, Hamas.

Agjencia e lajmeve palestineze, Wafa, ka thënë se katër burra palestinezë janë vrarë dhe i pesti është i plagosur seriozisht.

Policia kufitare izraelite ka thënë se zyrtarë nga një njësi e fshehtë “janë përballur me të shtëna me armë zjarri nga terroristët” teksa janë bërë përpjekje për të arrestuar të dyshuarin në orët e para të mëngjesit.

Sipas agjencisë së lajmeve palestineze, Maan, forcat izraelite kanë shtënë me armë zjarri, pasi janë zënë në pritë.

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, i ka quajtur vrasjet “krim i ulët”, që mund të ndikojnë në përshkallëzim të dhunës.

Abbas e ka mbajtur përgjegjëse “Qeverinë izraelite për këtë përshkallëzim” dhe i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar “që të ofrojë mbrojtje për popullin palestinez”.

Ky incident vjen disa javë pas përfundimit të konfliktit 11-ditor në mes të Izraelit dhe grupeve militante palestineze në Gaza.

Të paktën 256 persona janë vrarë në Gaza, kanë raportuar Kombet e Bashkuara, 13 prej të cilëve janë vrarë në Izrael.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat