Shkrimtari afgan: SHBA të mbrojë gratë nga sundimi taleban

Azia

Shkrimtari afgan: SHBA të mbrojë gratë nga sundimi taleban

Më: 18 gusht 2021 Në ora: 19:21
Gratë afgane

Khaled Hosseini, autori i Best Sellerit “Gjuetari i balonave” dhe romaneve të tjerë, i lindur në Afganistan, u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre të “ushtrojnë presion legjitim” mbi talibanët në përpjekje për të mbrojtur të drejtat të grave dhe vajzave afgane. Në një intervistë të gjatë për CBS News, Hosseini tha se ato që u arritën në 20 vitet e pranimit të forcave amerikane në Afganistan rrezikojnë të zhduken.

“Janë skena absolutisht prekëse ato që vijnë nga Afganistani për momentin. Flasin për frikën dhe ankthin që populli afgan ka me ardhjen e talibanëve. Unë shqetësohem për njerëzit e Afganistanit, veçanërisht gratë dhe fëmijët që vuajtën më shumë herën e fundit kur talibanët sunduan këtë vend”, është shprehur Khaled Hosseini.

Hosseini theksoi se gjatë asaj periudhe arritjet sidomos për gratë ishin të mëdha, ato u kthyen në fuqi punëtore dhe zunë 25% të vendeve në sallën e ulët të parlamentit. Gratë ishin në televizion, duke dhënë lajme, ishin në kujdesin shëndetësor, arsim, ato u bashkuan me policinë, u bënë guvernatore të përkohshme.  

Duke kujtuar se si ishte jeta për njerëzit afganë para ardhjes së Shteteve të Bashkuara, Hosseini tha se talibanët i shkaktuan dhe imponuan një interpretim shumë drakonian dhe të rreptë të ligjit islamik nga populli afgan. Edhe në Romanin e tij të vitit 2008 “Një mijë diell vezullues” ai përshkruan pengesat dhe rreziqet me të cilat përballen dy protagonistet femra të librit, kur talebanët marrin kontrollin dhe jeta bëhet një luftë e dëshpëruar kundër urisë, brutalitetit dhe frikës.

Pikërisht kësaj ai i frikësohet, se kjo situatë do të ripërsëritet ku gratë do largohen nga puna, do burgosen brenda shtëpive të tyre dhe do t’u ndalohet punësimi, arsimimi dhe shumë të drejta të tjera. Ndaj ai ka kërkuar që qytetarët afganë të mos braktisen në duart e talibanëve.

“SHBA dhe aleatët e saj duhet të ushtrojnë presion legjitim dhe të përshtatshëm ndaj talibanëve për të mos përdorur dhunën si mjet kundër qytetarëve afganë dhe për të respektuar të drejtat thelbësore të njeriut, veçanërisht atyre të grave dhe vajzave. Të gjithë mbajnë mend imazhe të tmerrshme të ekzekutimeve publike dhe të rrahjes publike të burrave dhe grave”, është shprehur Hosseini.

Për shkrimtarin çdo gjë që ishte arritur deri më tani është e kërcënuar dhe askush nuk e di se çfarë do të sjellë e ardhmja për Afganistanin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat