Policia në Pakistan ka hapur raste kundër qindra burrave të paidentifikuar pasi një grua e re u sulmua seksualisht dhe u ndoq nga një turmë prej më shumë se 400 burrash në një park në Lahore ndërsa po bënte një video në TikTok.
Sulmi tronditës u kap në disa video të cilat u bënë virale dhe që tregonin se turma po përulte gruan kur ajo ishte në parkun “Greater Iqbal” duke bërë një video në TikTok me miqtë e saj. Në mes të ditës, burrat e morën gruan dhe e hodhën mes tyre, duke ia shqyer rrobat dhe duke e sulmuar dhe goditur.
Gruaja ngriti rast kundër 300-400 personave të paidentifikuar, në policinë e Lahores, shkruan The Guardian.
“Turma më tërhoqi nga të gjitha anët në atë nivel sa rrobat e mia u grisën. Më hodhën përpjetë. Më sulmuan brutalisht”, ka thënë ajo në deklaratë për policinë. Shtoi se turma i vodhi paratë, vathët dhe telefonin.
Videot nxitën valë zemërimi në Pakistan. Ministri i Informacionit Pakistan, Fawad Chaudhry, ka thënë se arrestime po kryhen. Disa sulmues janë identifikuar përmes videove dhe dëshmitarëve.