Talibanët kanë marrë kontrollin e plotë të aeroportit ndërkombëtar të Kabulit të martën, pasi avioni i fundit amerikan u largua nga pista e tij, duke shënuar fundin e luftës më të gjatë të Amerikës.
Zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid foli për televizionin afgan RTA nga aeroporti duke thënë “ne kemi arritur pavarësinë tonë dhe ishim në gjendje t’i detyronim amerikanët të largoheshin pas 20 vjetësh”, raporton AP.
Vënia në punë e aeroportit ndërkombëtar Hamid Karzai është vetëm një nga sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohen talibanët në qeverisjen e një kombi prej 38 milionë banorësh, i cili për dy dekada kishte mbijetuar me miliarda dollarë ndihme të huaj.
Në intervistën me RTA, Mujahid diskutoi gjithashtu rifillimin e operacioneve në aeroport, i cili mbetet një rrugëdalje kryesore për ata që duan të largohen nga vendi.
“Do të ketë një plan që aeroporti të rifillojë aktivitetet e tij. Ekipet teknike po inspektojnë nëse diçka është shkatërruar në mënyrë që ata të mund ta rregullojnë atë dhe fluturimet normale mund të rifillojnë nga Afganistani kështu që tregtarët dhe pasagjerët tanë mund të fluturojnë të sigurt”, tha ai.
Aeroporti pati skena kaotike dhe vdekjeprurëse që kur talibanët dolën në mbarë Afganistanin dhe morën Kabulin më 15 gusht.
Javën e kaluar, një sulm vetëvrasës i Shtetit Islamik në portën e aeroportit vrau të paktën 169 afganë dhe 13 pjesëtarë të shërbimit amerikan.
Mujahid, zëdhënësi i talibanëve, tha se “së shpejti do të shpallet një qeveri, të gjitha zyrat qeveritare do të rihapen, bankat dhe ekonomia do të fillojnë të lëvizin, vendi do të ndërmarrë hapa drejt prosperitetit, larg luftës dhe pasigurisë, njerëzit dot’i rikthehen jetës normale”.