Pas marrjes nën kontroll nga talibanët, a do të lejohet operimi i linjave komerciale në Aeroportin e Kabulit?

Azia

Pas marrjes nën kontroll nga talibanët, a do të lejohet operimi i linjave komerciale në Aeroportin e Kabulit?

Më: 31 gusht 2021 Në ora: 21:19
Foto ilustrim

Që nga koha kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se po tërheqin trupat e tyre ushtarake nga Afganistani, Aeroporti i Kabulit ka qenë njëra nga kryeqendrat e sulmeve.

Gjatë dy javëve të fundit, ushtria amerikane kishte siguruar Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai me gati 6,000 trupa, ndërsa sot trupat ushtarake u larguan përfundimisht nga Afganistani, talibanët marshuan triumfalisht në Aeroportin e Kabulit. Ata përmes valles me armë e shpallën fitoren.

Talibanët u zotuan për siguri të vendit, rihapje të shpejtë të aeroportit dhe amnisti për ish-kundërshtarët, shkruan Aljazeera.

Por, tashmë pasi talibanët kanë marrë nën kontroll Aeroportin, spekulimet janë të shumta se si do të drejtohen operacionet dhe kush do të kujdeset për logjistikën e përfshirë.

Sipas një raporti, talibanët po zhvillojnë bisedime me qeveritë në Katar dhe Turqi për të kërkuar ndihmë për të vazhduar operacionet e fluturimeve civile.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu tha të dielën se riparimet duhet të bëhen në aeroportin e Kabulit para rihapjes për fluturimet civile.

Zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid tha se ata tani janë duke punuar në sigurimin dhe funksionimin e aeroportit.

“Luftëtarët tanë dhe forcat speciale janë të aftë të kontrollojnë aeroportin dhe ne nuk kemi nevojë për ndihmën e askujt për sigurinë dhe kontrollin administrativ të aeroportit të Kabulit,” tha zëdhënësi i talebanëve, Bilal Karim.

Talibanët i kanë kërkuar Turqisë të merret me operacionet logjistike derisa ata të kujdesen për sigurinë e aeroportit, por Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se është ende duke e vlerësuar ofertën.

Por a do të lejohen linjat ajrore të operojnë lirshëm brenda dhe jashtë Afganistanit?

Talibanët kanë thënë se aeroporti do të mbahet i hapur dhe afganët do të kenë mundësinë të hyjnë dhe dalin lirshëm nga vendi.

Kryenegociatori taliban Sher Mohammad Abbas Stanikzai ka thënë se ata me pasaporta dhe viza mund të shkojnë jashtë vendit “në një mënyrë dinjitoze dhe me paqe mendore” sapo të fillojnë shërbimet komerciale të fluturimit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat