Western Unioni ka bërë të ditur të enjten se do të vazhdojë shërbimin e transferit të parave për në Afganistan, derisa talebanët po përballen me pengesa të mëdha ekonomike pas marrjes së tyre në kontroll muajin e kaluar.
“Western Unioni është i lumtur t’ju lajmërojë se do të vazhdojë shërbimin e tij të transferit të parave në Afganistan, duke filluar nga 2 shtatori, kështu që klientët tanë mund të vazhdojnë të dërgojnë para në mbështetje të të dashurve të tyre këtë kohë”, ka thënë një zëdhënës për media i kompanisë.
Remitencat nga afganët që jetojnë jashtë vendit janë të rëndësishme për rritjen ekonomike të këtij vendi, ndërkohë që shuma e tyre shkon në pothuajse 789 milionë dollarë çdo vit, sipas të dhënave të Bankës Botërore.
Banka e zhvillimit me qendër në Washington, javën e kaluar njoftoi se do të pezullojë ndihmën për vendin, duke thënë se ishte "thellësisht e shqetësuar për situatën në Afganistan dhe ndikimin në perspektivat e zhvillimit të vendit, veçanërisht për gratë".