Rusia ka miratuar planin për ndërtimin e një qytetit të ri në Lindjen e Largët të vendit, si pjesë e planit të përgjithshëm të Moskës për të shtuar popullsinë në rajonet e Siberisë.
Projekti synon ndërtimin e një qyteti “hi tech”, që do të shërbejë si një oaz për kompanitë dhe start-up që veprojnë në fushën e teknologjisë, si pjesë e ambicies së Vladimir Putin për ta shndërruar Rusinë në një aktor global në këtë fushë.
Qyteti i ri do të quhet “Sputnik”. Vendndodhja e tij do të jetë mes qytetit të Vladivostokut dhe qytetit Artyom. Përzgjedhja është bërë e studiuar me shpresën se zhvillimi në këtë zonë nga tre, do të formojë një qytet të vetëm me miliona banorë dhe qendër e ngjashme hi-tech me Shangain, apo Hong-Kongun në Kinë.
Investimi për fazën e parë parashikon një fond prej 1.2 miliardë eurosh, të cilit do t’i shtohen më vonë edhe 2.5 miliardë euro. Qyteti i ri, i quajtur sipas satelitit të parë të hedhur nga Rusia në hapësirë në kulmin e Luftës së Ftohtë dhe garën me SHBA për pushtimin e orbitës, do të strehojë fillimisht 300 mijë banorë.
Pjesa më e madhe e parave që do të përdoren për ndërtimin e të gjithë infrastrukturës në këtë qytet do të jepen nga kompanitë private ruse, që kanë rënë dakord të investojnë kundrejt premtimit të qeverisë për favorizime fiskale dhe krijimin e një zone të lirë ekonomike në lindje të vendit.
Vendndodhja e ngritjes së qytetit Sputnik ndodhet në brigjet e Detit të Japonisë, ndërsa në Perëndim ka rreth 1 mijë kilometra larg kufirin me Kinën dhe në jug është kufiri me Korenë e Veriut.