Dy burra në shtetin jugor indian të Karnataka kanë rezultuar pozitivë për variantin e koronavirusit – Omicron.
Njëri prej tyre, një shtetas 66 vjeçar nga Afrika e Jugut, kishte udhëtuar prej andej dhe tashmë është larguar nga India, thanë zyrtarët. I dyti, i cili është mjek 46 vjeçar në qytetin jugor indian të Bengaluru, nuk ka histori udhëtimi.
Këto janë rastet e para të variantit të ri Omicron që raportohen në Indi.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se Omicron paraqet një ‘rrezik të lartë infeksioni’.
Në një konferencë për shtyp të enjten, zyrtarët shëndetësorë thanë se dy pacientët me llojin e ri kishin shfaqur simptoma të lehta, shkruan BBC.
Të gjitha kontaktet e tyre kryesore dhe dytësore janë gjurmuar dhe janë duke u testuar.
Sipas një njoftimi zyrtar, deri më tani kanë rezultuar pozitive pesë kontakte të 46 vjeçarit. Pacientët janë izoluar dhe mostrat e tyre janë dërguar për testim.