9-vjeçarja nga Afganistani, Parvana Malik, e cila u shit për martesë javë më parë te një burrë 55-vjeçar, u shpëtua së fundmi nga një organizatë që lufton martesat e hershme të vajzave.
“Jam vërtet e lumtur”, tha Parvana për CNN. “Bamirësia më shpëtoi nga burri im dhe burri im është plak.”
Një muaj më parë, më 1 nëntor, babai i të miturës e shiti tek një burrë 55-vjeçar, pasi e pa si të vetmen mënyrë për të siguruar të ardhura për ushqim për pjesëtarët e tjerë të familjes.
Abdul Malik, para se të dorëzonte vajzën ishte shprehur që ishte i mposhtur nga ndjenja e fajit dhe turpit.
“Ne jemi tetë anëtarë të familjes. Duhet të shes për të mbajtur gjallë anëtarët e tjerë të familjes. Unë jam mposhtur nga faji, turpi dhe shqetësimi”, ishte shprehur babai i të miturës.
“Një plak” me vetulla të bardha dhe mjekër të bardhë të trashë, kështu e kishte përshkruar atë kohë Parvana bashkëshortin 55-vjeçar.
Parvana është një nga shumë vajzat afgane, të cilat janë shitur për martesë, ndërsa kriza humanitare në vend thellohet.