Të paktën 375 njerëz tashmë dihet se kanë vdekur pasi një stuhi e fuqishme goditi të enjten Filipinet, shkruan BBC.
Super Tajfuni Rai – me erëra prej rreth 195 kilometrash në orë – i detyroi rreth 400 mijë njerëz të vrapojnë për të shpëtuar kur goditi ishujt juglindore të vendit.
Të paktën 500 persona u plagosën dhe 56 të tjerë janë raportuar të zhdukur nga policia lokale. Ekipet e shpëtimit kanë përshkruar skena si “masakrim i plotë”. Por përcaktimi i shkallës së humbjeve është i vështirë, pasi komunikimi me një sërë zonash është ndërprerë.
Ekziston frika se rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet mund të kenë marrë më shumë jetë.
“Shumë zona nuk kanë energji elektrike, nuk kanë komunikim, kanë shumë pak ujë,” tha kryetari i Kryqit të Kuq të Filipineve, Richard Gordon. “Ka disa zona që duken sikur janë bombarduar më keq se nga Lufta e Dytë Botërore”.
Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe ka nisur një apel urgjent duke kërkuar 20 milionë franga zvicerane për të financuar përpjekjet afatgjata të ndihmës.
“Ekipet e emergjencës së Kryqit të Kuq po raportojnë masakër të plotë në zonat bregdetare. Shtëpitë, spitalet, shkollat dhe ndërtesat e komunitetit janë grisur në copa”, tha Gordon.