Trupat ruse vazhduan vendosjen e tyre në Kazakistan të dielën në vazhdën e protestave vdekjeprurëse kundër udhëheqjes, pas rritjes së çmimit të gazit.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi në një deklaratë se më shumë se 70 avionë të saj Il-76 dhe pesë avionë An-124 që transportonin forcat ruse dhe forcat paqeruajtëse të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive të udhëhequr nga Rusia, një aleancë e ish-anëtarëve të bllokut Sovjetik, u vendosën të dielën.
Kazakistani kishte kërkuar ndihmë nga Rusia gjatë kulmit të trazirave javën e kaluar. Përleshjet e dhunshme midis protestuesve anti-qeveritar dhe policisë kishin filluar të qetësoheshin të premten mbrëma, pasi më shumë se 2 mijë e 500 trupa të udhëhequra nga Rusia mbërritën në vend.
Të paktën 160 njerëz kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë arrestuar gjatë trazirave, thanë zyrtarët e Kazakistanit për mediat shtetërore ruse, shkruan Upi.
Forcat e fundit të dislokuara përfshinin njësi nga Bjellorusia, Armenia, Taxhikistani dhe Kirgistani, sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, e cila deklaroi se ato janë të nevojshme për të ndihmuar në rivendosjen e “ligjit dhe rendit” në Kazakistan.
Videoja e siguruar nga Ministria Ruse e Mbrojtjes tregon trupat që mbërrijnë në fushat ajrore pranë Almaty. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se do të ndihmonte rreth 1 mijë rusë të kthehen në shtëpi me fluturimet nga Kazakistani të dielën, në bordin e avionëve ushtarakë pasi fluturimet komerciale u anuluan, raportoi media shtetërore ruse RIA.