Policia japoneze ka deklaruar se siguria e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe i cili u qëllua për vdekje të premten në Nara, kishte probleme.
“Është e pamohueshme që ka pasur probleme me sigurinë”, tha shefi i policisë së Narës Tomoaki Onizuka.
Një person i armatosur hapi zjarr ndaj Abe gjatë kohës që ai po mbante nje fjalim politik. Ngjarja ka tronditur thellësisht kombin japonez, shkruan BBC.
Zgjedhjet e së dielës për dhomën e sipërme po zhvillohen siç ishte planifikuar. Votimi filloi në orën 07:00 me orën lokale vetëm dy ditë pas vrasjes së Abe.
Analistët thonë se vrasja e tij mund të rrisë mbështetjen për Partinë Liberale Demokratike në pushtet, për të cilën Abe ishte një figurë udhëheqëse dhe me shumë ndikim.
Sipas policisë, i dyshuari Tetsuya Yamagami ka pranuar se ka qëlluar Abe me një armë të bërë vetë.
Yamagami i tha policisë se kishte shërbyer në marinën japoneze, Forcën Detare të Vetëmbrojtjes, për tre vjet. Kohët e fundit, ai kishte punuar në një fabrikë në Japoninë perëndimore.
Abe ishte kryeministri më jetëgjatë i Japonisë dhe vdiq në moshën 67-vjeçare. Ai po bënte fushatë për LDP-në në prag të zgjedhjeve parlamentare të dhomës së lartë të së dielës.
Kryeministri aktual Fumio Kishida, gjithashtu një anëtar i LDP-së, tha se ai ishte “thjesht pa fjalë”, duke u zotuar se demokracia e Japonisë “nuk do t’i dorëzohej kurrë dhunës”.
Policia po heton pse Abe ishte në shënjestër dhe nëse vrasësi i tij veproi i vetëm.