Sulmohet një protestues në Iran nga oficerët, policia i nis hetimet

Azia

Sulmohet një protestues në Iran nga oficerët, policia i nis hetimet

Më: 3 nëntor 2022 Në ora: 00:07
Foto ilustrim

Forcat policore të Iranit kanë thënë se janë duke hetuar një video që tregon oficerët duke rrahur dhe qëlluar rëndë një protestues antiqeveritar në Teheran.

Në videon e postuar në rrjetet sociale të martën, dhjetëra policë e godasin me shkopinj një burrë të shtrirë në rrugë.

“Policia nuk e pranon trajtimin e ashpër, oficerët e policisë sigurisht që do të trajtohen sipas ligjit”, thuhet në deklaratën e publikuar nga agjencia e lajmeve “Tasnim”.

Burri është goditur gjithashtu nga një oficer që drejtonte një motoçikletë, përpara se një tjetër të qëllojë me armë zjarri ndaj tij nga një distancë e afërt.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut “Amnesty International” ka kërkuar nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut që të hetojnë urgjentisht këtë rast.

Protestat në Iran janë duke ndodhur për javë të tëra si shenjë pakënaqësie ndaj institucioneve shtetërore dhe të sigurisë atje pas vdekjes së kurdes me shtetësi iraniane, Mahsa Amini, familjarët e së cilës pretendojnë se ajo ka vdekur në paraburgim pas dhunës së ushtruar nga policia.

E ndjera është arrestuar pasi nuk e ka respektuar policinë e moralit për mbajtjen e shamisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat