Policia në shtetin perëndimor indian, Gujarat ka arrestuar shtatë persona që dyshohet se kanë rrahur për vdekje një ushtar.
Melaji Vaghela u sulmua pasi protestoi kundër një videoje të vajzës së tij adoleshente që po postohej në internet, sipas denoncimit të policisë.
Ankesa thotë se video u bë virale pasi u ngarkua. Sulmuesit e dyshuar janë anëtarë të familjes së një djali adoleshent, të cilin Vaghela e akuzoi për ngarkimin e videos.
Nga sulmi u plagosën edhe gruaja dhe djali i Vaghelës. Viktima punonte me Forcën e Sigurisë Kufitare të Indisë.
Sipas ankesës së policisë, e cila u bë nga gruaja e Vaghela, Manjula, sulmi ndodhi të shtunën mbrëma në distriktin Kheda në Gujarat.
Vaghela, gruaja e tij, dy djemtë dhe nipi kishin shkuar në shtëpinë e adoleshentit për t’u ankuar kundër tij për gjoja se kishte postuar një video të vajzës. Disa raporte lajmesh e kanë përshkruar videon si “të turpshme”, por BBC nuk ka qenë në gjendje ta konfirmojë këtë.
Sipas denoncimit të policisë, diskutimi ka përshkallëzuar në sherr dhe të afërmit e djalit kanë sulmuar Vaghelën dhe familjen e tij me “shkopinj druri” dhe “gjëra të mprehta”.
Vaghela u plagos rëndë dhe ndërroi jetë menjëherë. Njëri nga djemtë e tij ndodhet në spital me lëndime në kokë.
Policia ka ngritur akuza, përfshirë vrasjen ndaj shtatë të akuzuarve. Ata të hënën janë dërguar në paraburgim dhe nuk kanë dhënë ende një deklaratë,BBC.