Një grup protestuesish u përpoqën të çajnë barrikadat para ndërtesës së Knessetit izraelit mbrëmjen e kaluar, pikërisht në momentin që duhej të fillonte debati për reformat në drejtësi.
Forcat e policisë i kanë penguar ata të depërtojnë. Ndërkohë, brenda në Knesset, rojet e sigurisë i larguan me forcë demonstruesit nga galeria e vëzhgimit të plenumit, pasi ata hynë ilegalisht në të dhe thyen muret e xhamit që i ndanin nga hapësira plenare.
Kujtojmë se në Izrael ka disa muaj që mbretëron një situatë e tensionuar, e gjitha kjo për shkak të vendimit të qeverisë për reformën e diskutueshme në drejtësi.
Disa javë më parë, dhjetëra mijëra demonstrues protestuan kundër reformave të shpallura në drejtësi në rrugët e kryeqytetit izraelit.
Reforma e planifikuar e gjyqësorit nënkupton heqjen dhe zvogëlimin e kompetencave të gjykatës supreme, duke i mundësuar parlamentit të anulojë vendimet e gjykatës supreme me shumicë të thjeshtë, dhe që politikanët të kenë më shumë ndikim në emërimin e gjyqtarëve.
Qeveria ka propozuar ndryshime që pretendon se janë të nevojshme për të riparuar sistemin e drejtësisë, gjë që ka ngjallur kundërshtim të ashpër nga grupet e dominuara nga avokatët.