Qeveria kineze theksoi ditën e djeshme se nuk do të furnizojë Rusinë me armë në mbështetje të pushtimit aktual të Ukrainës nga Moska, tani ose në të ardhmen.
"Ne nuk i furnizojmë dhe nuk do t'i furnizojmë palët në konflikt me armë," tha Ministri i Jashtëm Qin Gang pas gati dy orësh bisedimesh me Ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock në Pekin.
Ai tha gjithashtu se mallrat me qëllime të dyfishta, të cilat mund të përdoren për qëllime civile dhe ushtarake, janë nën kontroll ligjor. Në këtë mënyrë, pala kineze iu përgjigj paralajmërimeve të shpeshta të SHBA-së dhe vendeve të tjera perëndimore drejtuar Kinës për të mos furnizuar me armë Rusisë. Roli i Kinës në Ukrainë është të promovojë pajtimin dhe të avancojë bisedimet e paqes, tha Qin Gang.
“Nuk do të vazhdojmë t’i hedhim benzinë zjarrit”, deklaroi ai.
Komentet e tij erdhën pasi Baerbock i bëri thirrje Kinës që ta shtyjë më fort presidentin rus Vladimir Putin për t'i dhënë fund luftës kundër Ukrainës. Ministri gjerman tha se vizita e liderit kinez Xi Jinping në Moskë tregoi se asnjë vend tjetër nuk ka më shumë ndikim në Rusi sesa Kina. “Vendimi se si të përdoret ky ndikim prek drejtpërdrejt interesat themelore të Evropës”, theksoi ajo.
Ashtu si Kina mori pjesë me sukses në pajtimin paqësor midis Iranit dhe Arabisë Saudite, ne shpresojmë se ajo gjithashtu do të inkurajojë Rusinë që përfundimisht t'i japë fund agresionit të saj kundër Ukrainës dhe të angazhohet në një zgjidhje paqësore të konfliktit, tha ministri i Jashtëm gjerman. Baerbock gjithashtu vuri në dukje se, si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, Kina ka një përgjegjësi të veçantë.