Trupat izraelite janë tërhequr nga qyteti palestinez Jenin pas një prej operacioneve të tyre më të mëdha në Bregun Perëndimor ndër vite.
Karvanët e automjeteve ushtarake u panë duke u larguar më pak se 48 orë pas fillimit të ofensivës.
Pavarësisht tërheqjes, shpërthimet mund të dëgjoheshin ende mes raporteve të pakonfirmuara për një përleshje me armë pranë një spitali.
Të paktën 12 persona janë vrarë dhe rreth 100 janë plagosur, sipas zyrtarëve palestinezë, në atë që Izraeli thotë se ishte një mision i shënjestruar me kujdes kundër infrastrukturës terroriste.
“Në këtë moment ne jemi duke përfunduar misionin dhe mund të them se aktiviteti ynë i gjerë në Jenin nuk është një operacion i njëhershëm”, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Tërheqja vjen pasi të paktën tetë persona u plagosën kur një burrë u fut me një fugon midis njerëzve në një stacion autobusi në Tel Aviv dhe kreu një sulm me thikë përpara se të vritej.
Grupi militant palestinez Hamas tha se ishte në shenjë hakmarrjeje për veprimet e Izraelit në Jenin, shkruan Skynews, përcjell Klankosova.tv
Sulmet me dronë dhe rreth 1,000 trupa u përfshinë në operacion dhe Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se rreth 3,000 njerëz duhej të evakuoheshin nga kampi i qytetit i mbushur me refugjatë.
Energjia dhe uji u ndërprenë gjithashtu pasi buldozerët izraelitë që kërkonin bomba të improvizuara prenë një tub kryesor dhe kabllo.
Ushtria izraelite tha se misioni – i cili filloi në orët e para të së hënës – kishte zbuluar depo të nëndheshme eksplozivësh, kishte konfiskuar 1000 armë dhe kishte arrestuar 30 të dyshuar.
Shtetet e Bashkuara i kishin kërkuar Izraelit të ndërmarrë të gjitha hapat e mundshëm për të shmangur viktimat civile, ndërsa OKB-ja tha se ishte “e alarmuar” nga madhësia e operacionit dhe sulmet brenda kampit të refugjatëve – shtëpia e rreth 14,000 njerëzve.