Për aktivistin nga Hong Kongu, Finn Lau, madje as rrugët e Londrës nuk janë të sigurta nga kthetrat e Partisë Komuniste të Kinës.
Ai është një nga veprimtarët pro-demokracisë në mërgim që përballen me urdhër-arreste të lëshuara javën e fundit nga autoritetet e Hong Kongut. Autoritet ofrojnë një shpërblim prej 128,000 dollarësh për informacion që ndihmon në arrestimin e tyre. Zoti Lau thotë për Zërin e Amerikës se ka parë në internet mesazhe kërcënuese nga grupe pro-kineze.
“Kam fotografuar bisedat e disa grupeve në rrjetin Telegram, ku flitet për taktika për t’i joshur desidentët në mënyrë që të kapen ose të vriten”, thotë ai.
Zoti Lau ndihmoi në organizimin e protestave pro-demokracisë në Hong Kong në vitin 2019.
“Propozova strategji të ndryshme, organizova mitingje dhe madje bëra fushatë jashtë vendit”, thotë zoti Lau për Zërin e Amerikës. “Pra, kjo është arsyeja pse më akuzojnë për të ashtuquajturën marrëveshje të fshehtë me forcat e huaja”.
Veprimtari Lau u arrestua më 1 janar 2020, por policia e Hong Kongut nuk arriti ta identifikonte si udhëheqës të protestave dhe u la i lirë. Ai u laragua menjëherë dhe u vendos në Britani.
Që nga ajo kohë Kina ka lëshuar disa urdhër-arreste për të, por në fillim të këtij muaji ishte hera e parë që autoritetet e Hong Kongut ofruan një shpërblim për arrestimin e tij.
“Kreu i qeverisë së Hong Kongut, tha se do të na ndjekin deri në fund të botës”, tregon zoti Lau. “Të them të drejtën, ndihem më pak i sigurt në Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë viteve të fundit jam përballur me lloje të ndryshme ngacmimesh, pavarësisht nëse është ngacmim virtual në internet apo ngacmim fizik. Jam sulmuar pranë shtëpisë sime në vitin 2020”.
Zoti Lau pësoi lëndime të rënda nga sulmi në Londër. Ai thotë se sulmuesit ka gjasa të ishin nga Azia Lindore dhe tha se beson se ishin komanduar nga qeveria kineze, megjithëse Pekini e mohon përfshirjen. Policia britanike nuk ka arritur t’i zbulojë sulmuesit.
Zoti Lau thotë se autoritetet britanike duhet t'i marrin më seriozisht kërcënimet e fundit.
“Kërkoj garanci nga qeveria britanike që nëse dikush përpiqet të më rrëmbejë ose të më arrestojë sipas të ashtuquajturit Ligji i Sigurisë Kombëtare të Hong Kongut, atëherë ata duhet të gjykohen dhe të akuzohen në bazë të ligjit të Mbretërisë së Bashkuar për rrëmbim”.
“Jam përpjekur disa herë të kontaktoj me autoritetet më të larta të rendit dhe me policinë. Por nuk kam marrë përgjigje”, tha ai për Zërin e Amerikës.
Zoti Lau tha se beson se Britania heziton të mbajë një qëndrim më të ashpër pasi nuk dëshiron të rrezikojë lidhjet tregtare me Kinën.
Qeveria britanike nuk iu përgjigj drejtpërdrejt kërkesave të Zërit të Amerikës për koment. Londra zyrtare i ka dënuar shpërblimet e ofruara për arrestimin e aktivistëve nga Hong Kongu. Brtiania thotë se zbaton një politikë të kahershme për të mos komentuar mbi çështjet operative në lidhje me mbrojtjen e tyre në Britani.
Ndërkohë, policia e Hong Kongut mori në pyetje këtë javë disa anëtarë të familjes së zotit Nathan Law. Zoti Law është një tjetër aktivist pro-demokracisë dhe ish-ligjvënës që jeton në Londër, gjithashtu subjekt i një urdhër-arresti për arrestimin e të cilit ofrohet shpërblim. Ata u liruan dhe ndaj tyre nuk janë ngritur akuza./VOA