Lideri koreano-verior Kim Jong Un ka shkarkuar nga detyra gjeneralin kryesor të vendit dhe i ka kërkuar ushtrisë të intensifikojë përgatitjet për luftë në mënyrë ofensive, duke rritur prodhimin e armëve dhe shtuar numrin e stërvitjeve.
Lajmin e bën të ditur agjencia vendase e shtypit, “KCNA”, sipas të cilës Kim ka shkarkuar shefin e Shtabit të Përgjithshëm gjatë një mbledhjeje të Komisionit Qendror Ushtarak, të mbajtur mbrëmjen e së mërkurës, pak ditë pas vizitës së tij në disa nga fabrikat e armëve.
Sipas burimit, rendi i ditës në mbledhjen e Komisionit ishte pikërisht çështja e përgatitjeve përfundimtare për luftë, përfshirë nevojën për prokurimin e armatimeve më të fuqishme sulmi me qëllim garantimin e përgatitjes për një konflikt të mundshëm.
Lideri Kim ka ftuar të gjitha impiantet industriale të municioneve të përforcojnë prodhimin në masë të të gjitha armëve dhe pajisjeve – saktëson më tej “KCNA”.
Gjithashtu, kreu i regjimit të vendit të izoluar aziatik ka kërkuar intensifikimin e stërvitjeve luftarake për të testuar në mënyrë efikase armët dhe armatimet më të fundit.