LIVE: Luftime të ashpra/ Siria sulmon me predha Izraelin, ky i fundit i kundërpërgjigjet

Azia

LIVE: Luftime të ashpra/ Siria sulmon me predha Izraelin, ky i fundit i kundërpërgjigjet

Nga: Bota sot Më: 10 tetor 2023 Në ora: 06:15 Përditësuar në ora: 11:36 më 10.10.2023
Pamje nga vendi i ngjarjes

OKB: Izraeli bombardoi ndërtesat e banimit dhe shkollat në Gaza

Izraeli i ka goditur ndërtesat e banimit, përfshirë blloqet e ndërtesave të larta, si dhe shkollat gjatë bombardimeve në Rripin e Gazës, duke vrarë civilë, tha të martën komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, Volker Turk.

Ushtria izraelite i ka vazhduar të martën bombardimet vdekjeprurëse ndaj Rripit të Gazës së kontrolluar nga Hamasi, pasi grupi militant kërcënoi se do t’i vriste disa prej rreth 150 pengjeve që i rrëmbeu në fundjavë, nëse sulmet ajrore do të vazhdonin pa paralajmërim.

“Ligji ndërkombëtar është i qartë: kujdesi i vazhdueshëm është detyrim për ta kursyer popullatën civile dhe caqet civile gjatë sulmeve”, tha Turk në një komunikatë.

Të nënën, Izraeli njoftoi rrethimin e plotë të Rripit të Gazës, duke mos lejuar futjen e ushqimit dhe ujit, si dhe duke e ndërprerë furnizimin me rrymë.

Për këtë, Turk tha se rrethimet të cilat e rrezikojnë jetën e civilëve janë të ndaluara me ligj ndërkombëtar.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë të martën se e kanë siguruar kufirin me Gazën, nga ku mijëra luftëtarë të Hamasit ishin futur në Izrael të shtunën për ta nisur sulmin më të rëndë ndaj këtij vendi në dekadat e fundit.

Numri i të vdekurve në Izrael është rritur në 900 nga sulmet e Hamasit, për të cilat Izraeli është hakmarrë me bombardime mbi Gazën, ku kanë mbetur rreth 700 të vrarë.

Ushtria izraelite tha të martën se i ka gjetur mbi 1.500 trupa të militantëve të Hamasit brenda Izraelit.

Ajo, po ashtu, njoftoi se pothuajse e ka përfunduar evakuimin e komuniteteve izraelite përreth kufirit me Gazën.

Hamasi tha të hënën se katër prej pengjeve që i ka rrëmbyer janë vrarë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite. Më vonë, grupi militant tha se mund të fillojë t’i vrasë ata vetë./REL

​“1500 trupa” të palestinezëve të armatosur janë gjetur në Izrael, tha zyrtari i ushtrisë

Një zyrtar i ushtrisë izraelite tha të martën se ushtria ka gjetur rreth “1500 trupa” të palestinezëve të armatosur në vendbanimet përreth Gazës.

“Në ditët e kaluara, ushtria izraelite gjeti jo më pak se 1,500 trupa të armatosur palestinezë brenda territoreve izraelite”, tha zyrtari i ushtrisë izraelite, në kushte anonimiteti, për Anadolu.

Megjithatë, ai nuk ka dhënë detaje të tjera për këtë çështje.

Pala palestineze, veçanërisht grupi Hamas, ende nuk ka komentuar mbi pretendimin e ushtrisë izraelite.

Gjatë tre ditëve të fundit, krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Al-Qassam publikoi disa video të luftëtarëve të saj që hynë në objektet ushtarake izraelite rreth Gazës, të cilat gjithashtu treguan ushtarë izraelitë që vriteshin dhe arrestoheshin.

Grupi palestinez i Hamasit nisi operacionin ‘Al-Aksa Flood’ kundër Izraelit herët të shtunën, duke lëshuar një breshëri raketash dhe duke depërtuar në Izrael nga toka, ajri dhe deti. Ai tha se sulmi i befasishëm ishte në përgjigje të sulmit ndaj Xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar, dhe rritjes së dhunës kundër palestinezëve.

Si hakmarrje, ushtria izraelite nisi operacionin ‘Shpatat e Hekurta’ kundër Hamasit në Rripin e Gazës.

Numri i palestinezëve të vrarë nga forcat izraelite në Gaza është rritur në 704, përfshirë 143 fëmijë dhe 105 gra, tha Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza të martën herët. Sipas ministrisë numri i të plagosurve është rritur në rreth 4,000.

Të paktën 900 izraelitë janë vrarë dhe mbi 2600 të tjerë janë plagosur në luftime, sipas Ministrisë izraelite të Shëndetësisë.

“Ishim fshehur në dollap kur ata shpërthyen derën”- U mor peng nga grupi i Hamasit, gruaja izraelite rrëfen tmerrin

Një grua izraelite që i mbijetoi një sulmi vdekjeprurës të Hamasit të hënën ka rrëfyer tmerrin e jetuar dhe dëshmoi se si militantët islamikë sulmuan shtëpinë e saj.

Avital Alajem tregoi se si sulmuesit zunë atë rob dhe të tjerët rreth saj, si dhe vranë fqinjin e saj.

Në intervistën e saj për CNN, ajo tregoi se si u fsheh në një dollap të shtunën, kur rreth tetë militantë të Hamasit, shembën derën dhe nisën të qëllonin duke vrarë fqinjin e saj Katsman.

Alajem tha se ajo u tërhoq zvarrë nga militantët së bashku me dy fëmijët e vegjël të një fqinji tjetër – Negev, 4 vjeç dhe foshnjën Eshel, vetëm 4 muajshe dhe më pas u detyrua të ecte drejt Gazës pasi lagjja e saj u dogj.

“Ata dogjën gjithçka që mundën, makinat, gjithçka. Ata thyen gjithçka. Gjithçka është e shkatërruar,” tha ajo.

“Vazhdova të thoja me vete se ndoshta disa gra atje do të kujdesen për ne dhe ndoshta do të jenë pak humane me ne”.

Alajem tha se për arsye që ajo nuk i kupton, militantët e liruan atë dhe dy fëmijët pasi kaluan në Gaza.

“Nuk e di pse ata shpëtuan jetën e fëmijëve dhe jetën time. Thjesht më thanë të shkoja. Dhe pastaj filluam të ktheheshim,” tha ajo.

“Pashë tanke dhe dëgjova shumë bomba. Ata bërtisnin, ulërinin. Ne thjesht vazhduam të ecnim përpara”.

“Negev, këmba e të cilit u plagos nga prerjet, iu desh të zvarritej rrugës për në shtëpi”, tha ajo.

Alajem mundi t’i kthente të sigurt dy fëmijët e fqinjit te babai i tyre, “por nëna e tyre, Adi Kaaplon, është ende e zhdukur”, tha ajo.

Hayim Katsman, fqinji i saj që u vra në sulm, “ishte një shpirt i mirë”, i cili “i dha jetë këtij planeti, sepse ai më shpëtoi mua dhe më pas, unë isha në gjendje të shpëtoja dy fëmijë”, tha Alajem.

“Kemi mbyllur kufirin me Gazën”- Ushtria izraelite: Janë gjetur trupat e 1500 militantëve të Hamasit

Ushtria izraelite thotë se trupat e 1500 militantëve të Hamasit janë gjetur në Izrael dhe rreth Rripit të Gazës.

Hecht shtoi se evakuimi i të gjitha komuniteteve izraelite pranë Rripit të Gazës ishte pothuajse i plotë.

Ndërkohë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se kanë rivendosur kontrollin e plotë mbi gardhin kufitar me Gazën, pasi ai u shkel nga militantët e Hamasit kur nisur sulmin e tyre të befasishëm të shtunën.

Sipas IDF janë goditur 200 objektiva gjatë natës në Rripin e Gazës.

Zëdhënësi i IDF-së, Richard Hecht tha se 35 batalione janë vendosur në kufirin me Gazën.

Image

Një batalion përgjithësisht përbëhet nga qindra trupa. Izraeli pritet të nisë një operacion të madh tokësor në Gaza, në përgjigje të sulmeve vdekjeprurëse të së shtunës.

Ndërsa, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se sulmet ajrore në Gaza ishin “vetëm fillimi”.

BE rishqyrton ndihmat financiare për territoret palestineze

Gjermania dhe Austria i kanë ndërprerë ndihmat për zhvillimit për territoret palestineze. BE është duke e shqyrtuar gjithashtu një hap të tillë. Ndihma humanitare për ushqime dhe mjekësi duhet të vazhdojnë.

Komisari i BE-së Oliver Varhelyi të hënën (09.10.2023) deklaroi, që të ndërpriten menjëherë të gjitha pagesat për programet e  ndihmës së zhvillimit të Bashkimit Europian për territoret palestineze. Kjo deklaratë ishte disi e nxituar. Në mbrëmje i ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, e ndryshoi kursin. Projektet e ndihmës së zhvillimit fillimisht do të rishqyrtohen. Tani për tani gjithësesi nuk ka ndonjë pagesë të hapur duhet lëvruar, njoftoi Komisiioni i BE-së, për ta relativizuar paksa deklaratën jo fort të përshtatshme.

Një bllokim i mundshëm i ndihmave mund të prekë shumën e gati 700 milionë eurove për projektet e infrastrukturës dhe zhvillimit si dhe ndërtimin e një administrate dhe bujqësie efikase. Në një lajm të postuar në shërbimin X Varhelyi shkruante, se përmasat e terrorit dhe brutaliteti ndaj Izraelit shënojnë një pikëkthese. Deri tani BE ka qenë donatori më i madh Organizatën ë Ndihmës të OKB.së për refugjatët palestienzë (UNRWA). I ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme Borrell po ashtu shkruan në X, se një ndërprerje e menjëhershme e ndihmës së zhvillimit, pra "ndërshkimi i popullit palestinez, do të dëmtonte interesat e BE-së në Lindjen e Mesme dhe vetëm sa do t'i inkurajonte edhe më tej terroristët."

Edhe më tej ndihma për njerëzit në nevojë në Rripin e Gazës

Nga bllokimi i Komisionit të BE-së nuk preken ndihmat thjeshtë humanitare për palestinezët në Rripin e Gazës dhe në Jordanin Perëndimor, i pushtuar nga Izraeli. Kështu shkruan gjithashtu në platformën X komisari i BE-së, Janez Lenarcic, i cili është përgjegjës për Ndihmën ndaj Katastrofave. Për ndihmat humanitare sivjet janë parashikuar nga buxheti i BE-së të paktën 200 milionë euro. Prej dekadash BE paguan ndihma sociale, ushqime dhe programe edukimi e shërbime mjekësore për palestinezët në nevojë.

Sipas vlerësimeve të OKB-së ndërkohë janë rreth 1,5 nga 2,1 milionë banorë të Rripit të Gazës të varur prej ndihmave humanitare. Rripi i Gazës, që është pothuajse i rrethuar prej Izraelit dhe Egjiptit, nuk ka vende pune dhe asnjë një ekonomi funksionuese. Shumica e banorëve jetojnë në varfëri. Qëkurse nga viti 1993 "përfaqësuesit e Izraelit dhe të palestinezëve negociojnë për një zgjidhje me dy shtete", BE sipas Komisionit të BE-së ka lëvruar gjithsej 8,5 miliardë euri në Jordanin Perëndimor dhe në Rripin e Gazës. Që nga viti 2007 nuk ka pasur më kontakte direkte me administratën e Rripit të Gazës, që kontrollohet nga Hamasi. Hamasi, që nuk e pranon të drejtën e ekzistencës së Izraelit, konsiderohet nga BE si organiaztë terroriste.

Jo pagesa direkte adiministratës së Hamasit

NëIzrael dhe në Europë vazhdimisht kanë hasur në kritika ndihmat e BE-së duke u konsideruar si financim indirekt i Hamasit. Kontrolli Financiar i BE-së që në vitin 2007 ka kritikuar, që BE bashkëfinancon edhe nëpunës fiktivë në aparatin e fryrë të administratës autonome në Jordanin Perëndimor. Që nga ajo kohë BE i kontrollon më rreptë pagesat dhe i hedh poshtë sot këto kritika, se paratë e ndihmave nuk kalojnë përmes Hamasit, por përmes organizatave joqeveritare lokale dhe ndërkombëtare si Gjysmë Hëna e Kuqe.

Gjermania ndërpret ndihmën e zhvillimit

Popullsia në Rripin e Gazës nuk mbështetet vetëm nga buxheti i përbashkët i BE-së, por edhe nga projektet bilaterale përmes ndihmave nga shtetet e veçanta anëtare. Ministrja gjermane e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit Svenja Schulze deklaroi, se do të ngrijnë menjëherë pagesat prej 250 milionë eurove të ndihmës gjermane. Schulze tha në Berlin, se i është kushtuar vëmendje e posaçme, që pagesat e ndihmave t'i shërbejnë paqes dhe të mos bienn ë duart e terroristëve. Megjithatë sulmet e Hamasit ndaj Izraelit "shënojnë një pikëkthesë të tmerrshme", gjë që bën të nevojshme rishqyrtimin e të gjithë angazhimit në territoret palestineze. Edhe Austria deklaroi, se do të ndërpresë ndihmën për palestinezët.

Ministrat e Jashtëm të BE-së janë duke u konsultuar për hapat e mëtejshëm. Sfondi i këtyre konsultimeve ka të bëjë me faktin, se ka pasur ankesa nga disa Ministri të Jashtme ndër 27 vende anëtare ndaj qendrimit të Komisionit të BE-së për mundësinë e ndërprerjes së ndihmave. Të martën ministrat e jashtëm do të takohen në një mbledhje të jashtëzakonshme në Muskat në Oman, ku ndërkohë po zhvillohet një konferencë bashkëpunimi me shtete e Gjirit Persik. Këtu do të vendoset për të ardhmen e ndihmave financiare ndaj autoriteteteve dhe organizatave të autonomisë në RRipin e Gazës. Shtetet të veçanta si Irlanda, Luksemburgu apo Spanja e kanë kritikuar deklaratën e nxituar të komisarit Varheyli. Vendimi duhet të merret me shumicë nga vendet anëtare. BE edhe në të kaluarën në raste të sulmeve terroriste apo me raketa të Hamasit ndaj Izraelit i ka ndërprerë ndihmat përkohësisht. Në pranverë pati debat lidhur me librat shkollorë palestinezë, që u financuan me para nga BE. Në këto libra glorifiokohet sulmi terrorist i atentatorëve palestinezë ndaj ekipit izraelit në Lojërat Olimpike më 1972 në Mynih.

Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian gjithashtu të martën (10.10.2023) do të konsultohet për gjendjen në Izrael dhe në territoret palestineze. Eurodeputeti kristiandemokrat Niclas Herbst e konsideron të drejtë vendimin për ndërprerjen e ndihmave: "Eshtë e padiskutueshme, që Komisioni i BE-së pas sulmit të tmerrshëm të Hamasit ndaj Izraelit nuk mund të vazhdojë si deri më sot. Paratë e BE-së nuk duhet të derdhen në duart e terroristëve. Ndaj është e drejtë, që të gjitha projektet të rishqyrtohen." Por sidoqoftë Komisioni i BE-së e kundërshton energjekisht kritikën, se paratë mund të kenë devijuar në duart e terroristëve.

Lidhja europiane e taksapaguesve, një organizatë lobiiste, në të kudnërt tërheq vëmendjen për mundësinë e devijimit të ndihmave në drejtimin e gabuar: "Më e keqja është, që nuk ka transparencë për përdorimin e parave. Nëse nuk mund të vendoset ky kontroll, atëherë duhen ndërprerë ndihmat menjëherë", tha presidenti i lidhjes europiane të taksapaguesve, Michael Jäger, në një intervistë për gazetën Bild në shtator./DW

Izraeli po i vazhdon bombardimet në Gaza

Izraeli i ka vazhduar të martën bombardimet vdekjeprurëse ndaj Rripit të Gazës së kontrolluar nga Hamasi, pasi grupi militant kërcënoi se do t’i vriste disa prej rreth 150 pengjeve që i rrëmbeu në fundjavë, nëse sulmet ajrore do të vazhdonin pa paralajmërim.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (FMI) njoftuan, po ashtu, se e kanë siguruar kufirin me Gazën, nga ku mijëra luftëtarë të Hamasit ishin futur në Izrael të shtunën për ta nisur sulmin më të rëndë ndaj këtij vendi në dekadat e fundit.

Zëdhënësi i FMI-së, Daniel Hagari, tha se në ditët e fundit nuk ka mundur të futet asnjë militant në tokën izraelite nga Gaza.

Ai tha se inxhinierët po i minojnë pjesët ku ishte prishur gardhi mbrojtës kufitar. Militantët e Hamasit e kishin thyer këtë barrierë të madhe në shumë pjesë për ta nisur sulmin.

Hë nënën, Izraeli njoftoi rrethimin e plotë të Rripit të Gazës, duke mos lejuar futjen e ushqimit dhe ujit, si dhe duke e ndërprerë furnizimin me rrymë.

Kjo ka nxitur frikë se gjendja tashmë e rëndë humanitare në Gaza do të përkeqësohet shumë shpejt.

Izraeli ka mbetur i tronditur nga sulmi i paparë dhe papritur i Hamasit nga toka, ajri dhe deti, saqë e ka krahasuar atë me sulmet e 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

Numri i të vdekurve në Izrael është rritur në 900 nga sulmet e Hamasit, për të cilat Izraeli është hakmarrë me bombardime mbi Gazën, ku kanë mbetur rreth 700 të vrarë.

Ushtria izraelite tha të martën se i ka gjetur mbi 1.500 trupa të militantëve të Hamasit brenda Izraelit.

Ajo, po ashtu, njoftoi se pothuajse e ka përfunduar evakuimin e komuniteteve izraelite përreth kufirit me Gazën.

Hamasi tha të hënën se katër prej pengjeve që i ka rrëmbyer janë vrarë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite.

Më vonë, grupi militant tha se mund të fillojë t’i vrasë ata vetë./REL

Izraeli intensifikon sulmet ajrore në Gaza

Izraeli intensifikoi sulmet ajrore në Rripin e Gazës dhe e izoloi atë, duke ndërprerë furnizimet me ushqim, karburant dhe gjëra të tjera të hënën në shenjë hakmarrjeje për sulmin e përgjakshëm të militantëve të Hamasit. Numri i të vdekurve nga të dyja palët u rrit në afro 1600. Hamasi gjithashtu përshkallëzoi konfliktin, duke u zotuar të vriste izraelitët e kapur nëse ushtria izraelite sulmon civilët pa paralajmërim.

Në ditën e tretë të luftës, Izraeli vazhdoi të gjente trupa të viktimave të sulmit të befasishëm të Hamasit në fundjavë në qytetet jugore të Izraelit. Ekipet e kërkim-shpëtimit gjetën 100 trupa në komunitetin e vogël rural të Beerit, rreth 10% e popullsisë së tij, pas një përleshjeje të gjatë të tyre me militantët e Hamasit. Në Gaza, dhjetëra mijëra njerëz u larguan nga shtëpitë e tyre pasi sulmet ajrore shkatërruan ndërtesat.

Ushtria izraelite tha se riktheu kontrollin në jug të vendit, pasi sulmi i Hamasit e gjeti aparatin e saj të njohur ushtarak dhe të inteligjencës pothuaj plotësisht të papërgatitur dhe çoi në beteja të ashpra në rrugët e qyteteve për herë të parë në dekada. Hamasi dhe militantë të tjerë në Gaza thonë se po mbajnë peng më shumë se 130 ushtarë dhe civilë të rrëmbyer brenda Izraelit.

Tanket dhe dronët izraelitë u dislokuan për të mbrojtur çarjet në gardhin kufitar të Gazës për të parandaluar inkursione të reja. Mijëra izraelitë u evakuuan nga një numër qytetesh afër Gazës dhe ushtria mobilizoi 300 mijë rezervistë.

Këto lëvizje, së bashku me shpalljen zyrtare të gjendjes së luftës nga Izraeli të dielën, tregojnë se Izraeli po kalon në një ofensivë të madhe kundër Hamasit, duke kërcënuar me shkatërrim më të madh në Rripin e Gazës, një rajon me popullsi të dendur dhe të varfër.

“Ne sapo kemi filluar të godasim Hamasin”, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një fjalim televiziv kombëtar. "Ajo që ne do t'u bëjmë armiqve tanë në ditët në vijim do të bëjë jehonë tek ata për breza të tërë."

Rreth 900 njerëz, përfshirë 73 ushtarë, janë vrarë tashmë në Izrael, sipas mediave. Në Gaza, më shumë se 680 njerëz kanë humbur jetën, sipas autoriteteve atje; Izraeli thotë se qindra luftëtarë të Hamasit janë mes tyre. Mijëra njerëz të tjerë janë plagosur nga të dyja anët./VOA

"Ka qenë kaos" - mjekja izraelite përshkruan orët e para të sulmit

"Ka qenë kaos," tha Raphael Poch, një zëdhënës për shërbimet kombëtare vullnetare të urgjencës mjekësore të Izraelit United Hatzalah.

Ai tha për programin Newsday të BBC-së se u zgjua herët në mëngjes të së shtunës nga breshëria e raketave që ishin pjesë e sulmit brutal të Hamasit ndaj Izraelit, i cili deri më tani ka vrarë rreth 900 njerëz, raporton BBC, trasnmeton "Bota sot".

Në orët e tmerrshme që pasuan, Poch tha: "një pjesëtar i vullnetarëve tanë u plagos dhe një u vra ndërsa përpiqej të shpëtonte jetën e njerëzve të tjerë që u plagosën".

Rreth 1,500 vullnetarë në të gjithë Izraelin u sollën për të ndihmuar në ofrimin e shërbimeve mjekësore për njerëzit. Poch përshkroi se si i transportuan të plagosurit me helikopera dhe ambulanca në spitalet më të afërta.

Vullnetarët e rinj vazhdojnë të ndërhyjnë për të zëvendësuar ata që janë të lodhur dhe kanë nevojë për pushim, shtoi ai.

"Ne po shkojmë nga shtëpia në shtëpi në qytetet ku njerëzve u thuhet të mos largohen ose të dalin nga shtëpitë e tyre sepse është shumë e rrezikshme, duke u sjellë atyre ushqim, ujë dhe furnizime mjekësore," tha ai.

"Ne po bëjmë gjithçka që mundemi."

Një natë e errët në Rripin e Gazës

Ndërprerjet e energjisë elektrike dhe dëmtimet e infrastrukturës kanë ndikuar rëndë në Rripin e Gazës.

Imazhi i mësipërm tregon retë tymi që ngrihen mbi ndërtesa në Gaza, të ndezura nga flakët e shkaktuara nga një sulm ajror izraelit.

Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë kanë mbajtur të dyja konferencë lajmesh orët e fundit.

Mësuam se luftanijet amerikane po shkojnë në Mesdheun lindor dhe avionë të ngarkuar me municione ishin në rrugë për në Izrael.

Një deklaratë e përbashkët u lëshua edhe nga liderët e Britanisë së Madhe, SHBA-së, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, raporton BBC, transmeton "Bota sot".

Udhëheqësit thanë se ishin të bashkuar në mbështetje të Izraelit.

Informacioni i fundit që kemi është se të paktën 900 njerëz janë vrarë në Izrael dhe pothuajse 700 njerëz janë vrarë në Gaza.

Deklarohen nga Shtëpia e Bardhë: Nuk ka plane për të dërguar trupa amerikane në Izrael

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka njoftuar se qeveria amerikane nuk ka ndërmend të dërgojë trupa në Izrael, por do të mbrojë interesat e SHBA në rajon.

Ai thotë se priten më shumë kërkesa sigurie nga Izraeli, të cilat SHBA do të përpiqet t'i përmbushë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Kirby thotë gjithashtu se nuk ka dyshim se ka një shkallë bashkëpunimi nga Irani në mbështetjen e Hamasit, por SHBA nuk ka parë prova të forta dhe të prekshme që Irani ishte i përfshirë drejtpërdrejt, raporton BBC, transmeton "Bota sot",

Një raport në gazetën Wall Street Journal pretendon se Irani luajti një rol në ndihmën e Hamasit për t'u përgatitur për sulmin e befasishëm.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat