LIVE: Izraelitët vranë tre zëvendës komandantët e Hamasit - “Mos gaboni”, Blinken i nervozuar paralajmëron Iranin

Azia

LIVE: Izraelitët vranë tre zëvendës komandantët e Hamasit - “Mos gaboni”, Blinken i nervozuar paralajmëron Iranin

Nga: Bota sot Më: 24 tetor 2023 Në ora: 06:12 Përditësuar në ora: 06:15 më 24.10.2023
Antony Blinken

“Izraeli po përgatitet për një operacion shumëpalësh nga deti, toka dhe ajri”

Nga: A.M.

Izraeli po përgatitet për një "operacion shumëpalësh" kundër Hamasit nga "ajri, toka dhe deti", tha të hënën ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant.

Gallant ka përfunduar një turne në bazën e Marinës Ashdod, ku ai tha se "ka kryer një vlerësim të situatës së operacioneve detare" dhe "shëtiti brigjet në kufirin jugor të Izraelit së bashku me komandantin e marinës VADM David Saar Salama", sipas Ministrisë së Mbrojtjes në e hënë, raporrton CNN, transmeton "Bota sot".

Në një deklaratë video, Gallant tha se ai përgëzoi punën e ushtarëve dhe komandantëve në "parandalimin e shumë sulmeve që do të kishin ndodhur" kundër Izraelit.

Mesazhi im për ushtarët – bravo, keni bërë një punë të shkëlqyer! Vazhdoni të përgatiteni për operacionin tonë, ai do të vijë së shpejti. Ne po përgatitemi tërësisht për hapin tjetër - një operacion shumëpalësh në ajër, tokë dhe det," tha ai. "Bëni punën tuaj, përgatituni. Ne do të kemi nevojë për ju.”

Shkon në mbi 5.000 numri i viktimave në Palestinë, Ministria e Shëndetësisë: Spitalet në kolaps, operacionet po kryhen pa anestezi!

Që nga nisja e konfliktit mes Hamasit dhe Izraelit me 7 tetor të këtij viti, numri i viktimave dhe në Gaza ka rritur në të paktën 5,087 njerëz, ndërsa 15,273 të tjerë janë plagosur.

Ministria e Shëndetësisë e Autoritetit Palestinez, ka bërë më dije se në Bregun Perëndimor të pushtuar të paktën 95 palestinezë janë vrarë dhe 1,828 janë plagosur që nga sulmet e Hamasit dhe hakmarrja izraelite.

Ndër të tjera në deklaratën e Ministrisë thuhet se Rripi i Gazës ka përjetuar 250 sulme në sektorin e tij shëndetësor, duke lënë një pjesë të madhe të popullsisë së saj pa ndihmën e duhur mjekësore, raporton CNN.

Sa i përket infrastrukturës shëndetësore, Ministria deklaroi se dhjetë nga 35 spitalet në Rripin e Gazës, janë aktualisht jofunksionale. Nga këto, nëntë spitale janë “shkatërruar ose jashtë funksionit”.

“Sektori i shëndetësisë ka humbur më tej 54 personel shëndetësor, me mbi 90 të lënduar. Ambulancat janë prekur gjithashtu, me 50 të goditur dhe 23 tani jashtë shërbimit”, thuhet në deklaratë, shtoi ajo.

Përpos përballjes me shpërthimet dhe sulmet, në Gaza banorët tashmë po përballen dhe me sëmundje si lia, zgjebja dhe diarreja, të cilat sipas CNN, janë shfaqur për shkak të përkeqësimit të mjedisit shëndetësor, mungesës së kanalizimeve dhe konsumit të ujit nga burime të pasigurta.

Spitalet janë drejt kolapsit, duke funksionuar me më shumë se 150% të kapacitetit të tyre.

“Situatat janë bërë aq të rënda saqë operacionet po kryhen pa anestezi, dhe në disa raste, nën ndriçimin e dritave të telefonit”, shtoi Ministria e Shëndetësisë e Autoritetit Palestinez. Pacientët po trajtohen në korridore, në dysheme dhe vende të tjera të papërshtatshme. Për shembull, Kompleksi Mjekësor Al-Shifa aktualisht trajton 5000 pacientë në ditë, ndërsa kapaciteti i tij është 700”, tha ministria.

Ministria e Shëndetësisë e Autoritetit Palestinez theksoi se nuk mund të injorohet as kriza e afërt e shëndetit të nënës dhe fëmijës.

Rreth 50,000 gra shtatzëna po përpiqen të kenë akses në kujdesin shëndetësor, me rreth 166 lindje të pasigurta që ndodhin çdo ditë, muaji i ardhshëm parashikohet të dëshmojë 5,500 lindje në këto kushte sfiduese.

Sulme të tjera me dronë ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme

Trupat amerikane rrëzuan dy dronë që kishin në shënjestër forcat amerikane në Sirinë jugore të hënën. Ky incident pason sulme të tjera me dronë që kanë patur në shënjestër bazat dhe objektiva të tjera amerikane në Lindjen e Mesme, ndërsa zyrtarët paralajmërojnë për një "kërcënim të madh" të përshkallëzimit të konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit.

Zëdhënësi i Pentagonit, gjenerali Pat Ryder, u tha gazetarëve se forcat e mbështetura nga Irani lëshuan dy dronë në drejtim të garnizonit al-Tanf të hënën, të cilët u shkatërruan nga sistemet e mbrojtjes amerikane, duke mos shkaktuar lëndime në mesin e ushtarëve.

“Ne e dimë se këto grupe mbështeten nga Irani”, tha zëdhënësi Ryder. “Në fund Irani do të mbahet përgjegjës për këto sulme”.

Ky ishte të paktën sulmi i pestë me dron ose raketë ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme brenda një jave. Sipas Pentagonit, në ditët e fundit ka patur një rritje të sulmeve ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme. Disa nga sulmet shkaktuan lëndime të lehta dhe dëme materiale.

“Ekziston një kërcënim i madh i përshkallëzimit të konfliktit në të gjithë rajonin, duke përfshirë edhe shtimin e sulmeve ndaj forcave amerikane”, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë ushtarak.

Javën e kaluar, dy dronë kishin në shënjestër bazën amerikane al-Tanf në Siri. Një dron kishte në shënjestër bazën ajrore Al-Harir në Irakun verior. Baza ajore al-Asad e forcave amerikane në Irakun perëndimor ishte në shënjestër të një sulmi me dy dronë. Ndërsa një bazë tjetër e trupave amerikane pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdadit u sulmua me raketa./VOA

Përplasjet e Hezbollahut përshkallëzohen, komplikohen planet e Izraelit për pushtimin tokësor të Gazës

Izraeli thuhet se po vonon pushtimin tokësor të Gazës për shkak të një situate gjithnjë e më të komplikuar përgjatë kufirit të tij verior me Libanin, ku përleshjet me Hezbollahun vazhdojnë të intensifikohen.

Kanali 14 i Izraelit, i cili besohet të jetë i afërt me Benjamin Netanyahu, kryeministrin izraelit, citoi të dielën zyrtarë të paidentifikuar të kenë thënë se përshkallëzimi i dhunës përgjatë kufirit libanez do të thotë “ne nuk duhet të hyjmë tani në Gaza”.

Vetë Netanyahu e paralajmëroi Hezbollahun që të mos “bëjë gabimin e jetës së tij” duke hyrë në luftë, gjatë një vizite në trupat e vendosura pranë kufirit të dielën, mes frikës se grupi i mbështetur nga Irani mund të përpiqet të hapë një front të dytë.

“Ne do ta gjymtojmë atë me një forcë që nuk mund ta imagjinojë dhe pasojat për të dhe shtetin libanez janë shkatërruese,” tha ai.

Përleshjet midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut janë përshkallëzuar në mënyrë të vazhdueshme javën e kaluar, duke e detyruar Izraelin të urdhërojë një evakuim të paprecedentë nga dhjetëra komunitete në rajonin kufitar, ku jetojnë rreth 200,000 njerëz.

Të hënën, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se kishin goditur katër qeliza të Hezbollahut që vepronin në kufirin me Libanin gjatë natës.

“Forcat tona goditën infrastrukturën terroriste të Hezbollahut në Liban, duke përfshirë një kompleks ushtarak dhe një post vëzhgimi”, tha IDF./ The Telegraph

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat