Raportohet për viktima nga një shpërthim në kampin e refugjatëve në Gazë

Azia

Raportohet për viktima nga një shpërthim në kampin e refugjatëve në Gazë

Më: 31 tetor 2023 Në ora: 18:06
Palestinezët duke kërkuar trupat e viktimave në një zonë të kampit të refugjatëve Jabalia në veri të Rripit të Gazës, pas një shpërthimi të madh më 31 tetor 2023.

Raportohet për dhjetëra të vrarë të martën nga një shpërthim i madh në një kamp refugjatësh në Rripin e Gazës.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e cila udhëhiqet nga grupi militant palestinez Hamas, tha se kampi i refugjatëve Jabalia u godit nga së paku gjashtë sulme ajrore, si pasojë e të cilave u shkatërrua një numër i blloqeve banesore në një zonë banimi.

Ajo raportoi për një numër të madh viktimash, por nuk dha hollësi.

Ushtria e Izraelit ende nuk e ka komentuar shpërthimin në kampin e refugjatëve në veri të Gazës.

I vendosur në Qytetin e Gazës, Jabalia është kampi më i madh i refugjatëve i Gazës nga tetë sosh.

Mbi 160.000 refugjatë ishin regjistruar në të nga Kombet e Bashkuara deri në korrik 2023.

Refugjatët filluan të zhvendosin në këtë kamp pas luftës së vitit 1948. Është një zonë e vogël por e populluar dendësisht dhe përbëhet kryesisht nga ndërtesat e banimit.

Jabalia i ka 26 shkolla në 16 ndërtesa, një qendër për shpërndarjen e ushqimit, dy qendra të mjekësisë familjare, një bibliotekë dhe shtatë bunarë për ujë.

Bashkë me kampin Shati, Jabalia ndodhet në zonën të cilën Izraeli e ka deklaruar si zonë evakuimi pasi nisi bombardimet e Rripit të Gazës, pas sulmeve të militantëve të Hamasit më 7 tetor në qytetet e Izraelit jugor, ku i vranë mbi 1.400 njerëz, kryesisht civilë, sipas zyrtarëve izraelitë./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat