Ministri izraelit i mbrojtjes, Yoav Gallant thotë se ushtria e vendit të tij ka lëshuar më shumë se 10 mijë municione vetëm mbi qytetin e Gazës që nga fillimi i konfliktit aktual dhe tha se po përparon drejt qëllimit të saj për të eliminuar Hamasin.
“Është një operacion i vendosur dhe veprim vendimtar. Bashkëpunim shumë i fortë midis forcave tokësore dhe ajrore me zjarr mbështetës nga deti. Dua të përcjell vlerësimin tim të madh për performancën e forcave tona. Këto janë arritje shumë të rëndësishme në terren, ne po godasim terroristët në çdo nivel”, tha ministri izraelit.
Më shumë se 400 njerëz të bllokuar në Gaza, duke përfshirë disa shtetas britanikë dhe të huaj të tjerë, kanë kaluar tani në Egjipt, raporton BBC.
Kalimi pritet të hapet sërish gjatë ditës së sotme për të lejuar më shumë të largohen nga territori.
Ndërkaq, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kanë raportuar për luftime të ashpra me Hamasin në Rripin e Gazës gjatë natës dhe kanë vrarë “dhjetëra” pjesëtarë të Hamasit.