Spitali Indonezian në Gaza mbeti plotësisht pa energji elektrike pasi i mbaroi karburanti, teksa Izraeli vazhdon sulmet e tij në enklavën e bllokuar.
Në spitalin që gjendet në qytezën Jabalia në veri të Rripit të Gazës ndodhen mijëra palestinezë të plagosur, të sëmurë dhe të zhvendosur.
Gjeneratorët ndaluan së punuari pasi karburanti mbaroi dhe spitali mbeti në errësirë të plotë.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka publikuar në llogarinë e saj Telegram një deklaratë dhe një foto të spitalit që ka mbetur pa energji elektrike. Në deklaratë theksohet se energjia elektrike, uji dhe komunikimet në Spitalin Indonezian në Gazën veriore janë ndërprerë plotësisht.
Atef al-Kahlut, drejtori i Spitalit Indonezian, tha në një deklaratë më 8 nëntor se ata kanë karburant të mjaftueshëm për 24 orë dhe se aktivitetet e tyre do të ndalojnë pas kësaj, nëse nuk pranojnë ndihmë.