Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) janë tërhequr nga Gaza, njoftoi El Arabiya TV, duke cituar Ministrinë palestineze të Shëndetësisë.
“UNRWA dhe OBSH nuk ofrojnë më shërbime në Rripin e Gazës. Agjencitë e OKB-së janë pajtuar me Izraelin dhe janë larguar nga Rripi i Gazës”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë, Munir Al-Brush.
Ai shtoi se numri i njerëzve të vrarë në sulmet izraelite u rrit në 12 mijë dhe rreth 30 mijë janë plagosur, shkruan cnbc.
Në fakt, autoritetet palestineze kanë njoftuar se mbi 11 mijë njerëz janë vrarë ndërsa në radhët e izraelitëve kanë vdekur mbi 1200 persona.
Më 7 tetor, grupi palestinez Hamas kreu një sulm të befasishëm me raketa mbi Izraelin nga Rripi i Gazës, si dhe një inkursion në territorin izraelit kur një numër i madh njerëzish u vranë dhe u rrëmbyen.
Izraeli u përgjigj me sulme ajrore, një bllokadë totale të Rripit të Gazës dhe një operacion tokësor.