Ushtria izraelite ka pastruar zonën perëndimore të qytetit të Gazës, tha të enjten ministri i mbrojtjes i vendit, duke njoftuar fillimin e "fazës tjetër" të operacioneve tokësore.
Duke folur me ushtarët në qendrën komanduese të Divizionit të 36-të në Izraelin jugor, Yoav Gallant tha: "Gjatë 24 orëve të fundit, ne morëm kontrollin operacional të zonës perëndimore të qytetit të Gazës dhe faza tjetër e operacioneve tokësore ka filluar".
Ai shtoi: "Sa më shumë të vazhdojmë këtë operacion, aq më shumë presion do të bëjmë mbi Hamasin dhe aq më shumë do të kemi sukses në eliminimin e infrastrukturës së tij, duke përfshirë selinë dhe tunelet e tij."
Bombardimet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, i shoqëruar nga një operacion tokësor, ka vrarë mbi 11,000 palestinezë, më shumë se gjysma e tyre gra dhe fëmijë.
Mijëra ndërtesa, duke përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose janë shkatërruar plotësisht.
Ndërkohë, numri zyrtar i të vdekurve në Izrael është 1200.
Enklava është përsëri nën një ndërprerje të komunikimit për shkak të mungesës së karburantit për gjeneratorët, sipas ‘Paltel’, kompania që ofron shërbime telekomunikacioni në Rripin e Gazës.