Izraeli lejon që 140 mijë litra karburant në ditë të hyjë në Rripin e Gazës
Izraeli do të lejojë dy kamionë ne ditë me karburant që të hyjnë në Rripin e Gazës.
Kjo u bë pas presionit të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha se rreth 140 mijë litra karburant do të lejohen çdo ditë që të hyjnë në Rripin e Gazës.
Karburanti pritet të përdoret për kamionët që shpërndajnë ndihma dhe për ekipet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në sigurimin e ujit.
Ndërsa, pjesa tjetër pritet të përdoret për shërbimet e telefonisë mobile dhe të internetit, të cilat ishin ndërperë për shkak të mungesës së karburantit, shkruan BBC.
Marrëveshja për lejimin e karburantit në Rripin e Gazës ishte nënshkruar në fillimin e javës së parë të konfliktit, tha zyrtari i DASh-it, por u vonua nga Izraeli pasi ata i thanë ShBA-së se karburanti nuk kishte mbaruar në Gazën jugore dhe se Izraeli donte të negocionte për pamje të pengjeve të marra nga Hamasi.
Sulmi me dron në Bregun Perëndimor vret pese palestinezë
Pesë palestinezë janë vrarë në sulmin ajror izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Kjo sipas një korrespondenti të Al Jazeera në terren si dhe Reuters, të cilët po citojnë Gjysmëhënën e Kuqe Palestineze.
Sulmi me dron goditi selinë e Lëvizjes Fatah të Presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, në kampin e refugjatëve Balata, në lindje të Nablusit, sipas agjencisë shtetërore palestineze të lajmeve Wafa.
Sulmi ka lënë të plagosur të paktën dy persona të tjerë.
ShBA-ja e kënaqur që Izraeli u pajtua të dërgojë karburant në Gaza
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të kënaqura që Izraeli është pajtuar të dërgojë karburant në Gaza.
Sipas një komunikatë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, kjo është arritur me kërkesën e fortë amerikane.
“ShBA po punon ngushtë me Izraelin dhe partnerët tanë në rajon për të siguruar furnizimin e vazhdueshëm të karburantit në mënyrë që ndihma humanitare të jetë e mundur dhe shërbimet thelbësore në Gaza të rikthehen”, thuhet në komunikatë.
“Ne jemi të kënaqur që Izraeli ra dakord të dërgojë karburant në Gaza me kërkesën tonë të fortë. Ne besojmë se këto dërgesa duhet të vazhdojnë në baza të rregullta dhe në sasi më të mëdha”, thuhet tutje në komunikatën e Shtëpisë së Bardhë.
Dy kongresistë të tjerë amerikanë bëjnë thirrje për armëpushim në Gaza
Ligjvënësit amerikanë John Garamendi dhe Mark DeSaulnier, të dy demokratë nga Kalifornia, i janë bashkuar një liste në rritje të anëtarëve të Kongresit që bëjnë thirrje për një armëpushim në Gaza.
Ata kërkuan gjithashtu lirimin e robërve të mbajtur në enklavë, shkruan Al Jazeera.
Garamendi dënoi “humbjen e tmerrshme të jetëve” në konflikt dhe shprehu mbështetjen për bisedimet për t’i dhënë fund luftimeve.
“Ndërsa negociatat për armëpushimin vazhdojnë, ne nuk duhet të harrojmë objektivin tonë për të arritur paqe afatgjatë në rajon që si izraelitët dhe palestinezët të jetojnë me dinjitet, siguri”, tha ai në një deklaratë.
Nga ana e tij, DeSaulnier tha se një armëpushim do të shpëtonte jetë dhe do të mundësonte hyrjen e ndihmave humanitare shumë të nevojshme në Gaza.
“Hamasi gjithashtu duhet të sillet para drejtësisë për sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit”, tha DeSaulnier.
“Ky është një hap i parë i domosdoshëm për të siguruar që izraelitët dhe palestinezët janë të sigurt dhe duhet të përdoret si bazë drejt një zgjidhjeje politike që arrin paqe të qëndrueshme, siguri dhe dinjitet për izraelitët dhe palestinezët”, tha ai.
Shërbimet e internetit dhe telefonisë kthehen pjesërisht në disa pjesë të Gazës
Shërbimet e internetit dhe telefonisë janë rikthyer pjesërisht në disa pjesë të Rripit të Gazës, tha të premten kompania palestineze e telekomunikacionit PalTel.
“Kjo vjen pasi një sasi e kufizuar karburanti u sigurua përmes UNRWA për të operuar gjeneratorët tanë kryesorë”, tha kompania, duke iu referuar Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt.
Dy cisterna me karburante hynë në Gaza përmes vendkalimit Rafah të premten për t’u përdorur nga agjencitë e OKB-së, tha një agjenci qeveritare izraelite për CNN të premten.
PalTel tha se do të duhet të marrë një furnizim të rregullt me karburant për të shmangur më shumë ndërprerje.
NetBlocks, një firmë monitoruese e internetit me bazë në Londër, konfirmoi se lidhja e internetit ishte rivendosur pjesërisht në Gaza.
Izraeli shkatërron qendrën e armëve të Xhihadit Islamik Palestinez në Gaza
Ushtria izraelite pretendon se ka shkatërruar një qendër të armëve në Rripin e Gazës të shfrytëzuar nga grupi militant Palestinez Xhihadi Islamik (PIJ).
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se kryen shpërthimin pas një operacioni që zgjati 12 orë, ku trupat e saj u sulmuan.
“Pozicioni ishte një aset i madh për prodhimin e armëve”, njoftoi IDF-ja, raporton skynews.
"Trupat IDF kontrolluan postin dhe hoqën dy kamionë plot me armë, duke përfshirë pjesë të raketave Badr-3 (një raketë tokë-tokë), pjesë UAV dhe materiale të inteligjencës që i përkisnin PIJ-së”, thuhet më tutje në njoftimin e forcave izraelite.
IDF ka shpërndarë edhe një video ku pretendon se tregon momentin e shpërthimit të objektit të militantëve.
Ndryshe, PIJ është grupi i dytë më i madh militant në Gaza. Sipas “Projektit Kundër Ekstremizmit”, ajo u themelua në vitin 1979 si një degë e Vëllazërisë Myslimane Egjiptiane.
Grupi është i përkushtuar në çrrënjosjen e Izraelit dhe krijimit të një shteti autonom islamik palestinez në tokat që aktualisht përfshijnë Izraelin, Bregun Perëndimor dhe Gazën.