LIVE: Vazhdojnë luftimet e ashpra në Gaza, Katari zbulon kur do fillojë armëpushimi – dalin detaje mbi liderin e fshehtë të Hamasit

Azia

LIVE: Vazhdojnë luftimet e ashpra në Gaza, Katari zbulon kur do fillojë armëpushimi – dalin detaje mbi liderin e fshehtë të Hamasit

Nga: Bota sot Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 06:35 Përditësuar në ora: 18:37 më 23.11.2023
Pamje nga lufta Izrael - Hamas

Operacionet izraelite mund të intensifikohen përpara armëpushimit

Operacionet izraelite “madje mund të intensifikohen” në prag të armëpushimit, ka thënë një zëdhënës i IDF-së për rrjetin tonë partner NBC News.

Është "biznes si zakonisht", tha Richard Hecht, duke hedhur poshtë idenë se Izraeli mund të zvogëlojë operacionet në Gaza përpara një pauze në luftimet që do të fillojnë në orën 7 të mëngjesit nesër, sipas kohës lokale.

Ndërkohë, një sulm ajror goditi sot qytetin jugor të Khan Younis, duke plagosur disa njerëz, përfshirë gazetarë, raportoi Associated Press, transmeton "Bota sot".

Një burrë dhe një djalë i ri u nxorën nga nën rrënoja dhe u dërguan në ambulanca.

Dëshmitari okular Nazmeia al Ewaity tha: "Ne po piqnim për të ngrënë dhe ushqyer fëmijët tanë, ata sapo filluan të hanin dhe u goditën".

“I gjithë ndërtesa u shemb, nuk kishin asgjë, nuk bënë asgjë. Pse ndodhi kjo?".

Luftimet vazhdojnë në Lindjen e Mesme ndërsa shtyhet armëpushimi

Izraeli njoftoi se armëpushimi i përkohshëm në luftën kundër Hamasit që ishte parashikuar të fillonte mëngjesin e të enjtes u shty për të premten. Katari, një nga ndëmjetësit e marrëveshjes tha se pauza në luftime do të fillojë të premten në mëngjes dhe pengjet e para do të lirohen të premten pasdite. Ndërkohë sulmet e dyanshme vazhduan, ndërsa familjet palestineze dhe ato izraelite që prisnin rikthimin e disa prej pengjeve sot u shprehën të zhgënjyer me vazhdimin e luftimeve. Ndërkaq, disa udhëheqës evropianë vizituan sot Izraelin, ndërsa vazhdojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.

Lufta vazhdoi në Gazë të enjten pasi armëpushimi i përkohshëm i propozuar dhe lirimi i pengjeve u shty për të paktën një ditë tjetër.

Ushtria izraelite tha se kishte nisur 300 sulme ajrore gjatë të mërkurës dhe sirenat paralajmëruan për lëshime raketash ndërkufitare nga grupet e armatosura palestineze.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, vizitoi të enjten Izraelin.

Kryediplomati britanik u shpreh në mbështetje të ndalimit të luftimeve dhe futjen e ndihmave në Gazë për civilët palestinezë.

I veshur me një xhaketë anti-plumb, ai u filmua së bashku me homologun izraelit Eli Cohen duke ecur mbi mbeturinat e një shtëpie që u dogj gjatë luftimeve muajin e kaluar.

Ndërsa vizitonte kibucin Be’eri, një nga komunitetet më të goditura gjatë sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor, zoti Cameron tha se vendosi të vizitojë pjesën jugore të Izraelit sepse nuk duhet harruar tmerri që civilët izraelitë përjetuan gjatë sulmit të Hamasit.

“Doja të vija vetë këtu për të parë tmerrin e sulmeve që pësuan izraelitët më 7 tetor dhe ato janë absolutisht të tmerrshme. Prindërit u qëlluan para fëmijëve të tyre, fëmijët u qëlluan para prindërve. Kam dëgjuar gjëra dhe kam parë gjëra që padyshim nuk do t'i harroj kurrë dhe është e rëndësishme që ta kuptojmë këtë”, thotë zoti Cameron.

Në Jeruzalem qëndruan kryeministrat e Spanjës, Pedro Sanchez dhe ai i Belgjikës, Alexander De Croo. Gjatë takimit me Kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu, kryeministri spanjoll sugjeroi mbajtjen e një konferenceje të paqes për Lindjen e Mesme. Sipas tij, kjo ide ka mbështetjen e Bashkimit Evropian, Lidhjes së Shteteve Arabe dhe Organizatës për Bashkëpunim Islamik.

Ndërsa luftimet dhe përpjekjet politike për ndalimin e tyre vazhdojnë, civilët nga të dyja anët shprehën të lodhur nga situata.

Në një kamp për palestinezët e zhvendosur në Khan Younis në jug të Gazës, Omar al-Salawat kishte shpresuar se një armëpushim mund të bënte të mundur që familja e tij të kthehej në shtëpinë e vet.

“Sa herë që përgatitemi për armëpushimin na duket sikur shpirti na ringjallet. Ne duam të largohemi, kjo nuk është një jetë. Papritmas e shohim veten duke kaluar gjithë jetën në një tendë, është një jetë e lodhshme, situata vazhdon të përkeqësohet”, thotë palestinezi i zhvendosur, Omar al-Salawat.

Familjet e izraelitëve që janë marrë peng nga Hamasi thonë se ende i mban shpresa që të dashurit e tyre do të kthehen shëndoshë e mirë ndonëse rikthimi i tyre u shtyu. Disa prej tyre janë tërësisht të zhgënjyer pasi thonë që organizata ndërkombëtare si Kryi i Kuq janë të njanshme pasi ndihmojnë vetëm palestinezët.

“Kryqi i Kuq ndërkombëtar është turpi më i madh për botën. Ai thotë se bën punë humanitare, por pse e bën këtë vetëm për njërën anë? Po unë si baba që rri këtu dhe vuan? Një baba që nuk e di se si është gjendja shëndetësore e djalit të tij? Kryqi i Kuq nuk shkon t'i shohë si janë”, thotë Dani Miran, babai i 46 vjeçarit Omri që dyshohet se mbahet peng nga Hamasi.

Lufta në Lindje të Mesme filloi pasi militantët e Hamasit vranë 1200 izrealitë më 7 tetor dhe dyshohet se morën peng rreth 240 të tjerë.

Izraeli filloi sulmet ajrore dhe më pas edhe një ofensivë tokësore me qëllimin e shkatërrimit të aftësive ushtarake të Hamasit në Gazë. Të dhënat e Hamasit janë se gjatë kësaj lufte janë vrarë të paktën mbi 11 mijë palestinezë, një pjesë e madhe e të cilëve janë gra dhe fëmijë./VOA

Katari thotë se armëpushimi në Gazë nis mëngjesin e së premtes

Katari tha se armëpushimi në luftën mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – do të nisë orën 7 të mëngjesit të së premtes.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, në një konferencë për media në Doha, tha se ndihma për në Rripin e Gazës “do të nisë të dërgohet sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Armëpushimi është pritur që të nisë pasi u arrit marrëveshja të mërkurën, por palët ende po zgjidhin disa detaje të fundit.

Marrëveshja, që u arrit me ndërmjetësimin e Katarit, parasheh lirimin e 50 pengjeve – gra dhe fëmijë – që u zunë rob nga Hamasi gjatë sulmeve të 7 tetorit në jug të Izraelit.

Në këmbim, Izraeli do të lirojë rreth 150 palestinezë të burgosur.

Al-Ansari tha se grupi i parë i civilëve të marrë peng do të lirohet rreth orës 16:00. Sipas tij, do të lirohen 13 gra dhe fëmijë.

Hamasi ka marrë afër 240 pengje gjatë sulmeve të 7 tetorit që nxitën luftën në Rripin e Gazës.

Si pasojë e dhunës, 1.200 persona janë vrarë në Izrael dhe mbi 13.000 në Rripin e Gazës. Ky territor palestinez, i banuar me 2.3 milionë persona, është rrethuar nga Izraeli dhe ka qenë cak i sulmeve të pandërprera ajrore dhe tokësore.

Marrëveshja e armëpushimit parasheh edhe lejimin që më shumë ndihmë të arrijë për palestinezët në Gazë./REL

Kush është udhëheqësi i fshehtë i Hamasit që gjendet në krye të listës së armiqve të Izraelit?

Organizatori i sulmit të grupit radikal palestinez, Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian – ndaj Izraelit, i cili nxiti gjakderdhjen më të madhe izraelito-palestineze prej dekadash, është një figurë e fshehtë, që ia kanë frikën në të dyja anët e luftës.

Në Gazë, askush s’ka fuqi më të madhe në përcaktimin e trajektores së ardhshme të luftës sesa Yehya Sinwar. I obsesionuar, i disiplinuar dhe diktatorial, ai është udhëheqësi më i lartë i Hamasit brenda territorit palestinez – një militant veteran, i parë rrallë në publik, i cili ka mësuar hebraishten gjatë viteve të kaluara në burgjet izraelite, dhe i cili ka studiuar me kujdes armikun e tij.

Zyrtarët izraelitë janë zotuar se do ta vrasin atë dhe do ta shtypin grupin ekstremist, i cili qeveris Gazën që nga viti 2007. Por, teksa lufta ndodhet në javën e shtatë, Sinwar, 61-vjeçar, vazhdon të jetë gjallë, i fshehur dhe në ballë të luftëtarëve të Hamasit, teksa ata po luftojnë me forcat izraelite. Ai, po ashtu, kontrollon negociatat e grupit për fatin e gati 240 pengjeve, të cilët luftëtarët e Hamasit i morën gjatë sulmit të 7 tetorit.

Teksa mijëra njerëz kanë vdekur si pasojë e bombardimeve dhe operacionit tokësor Izraelit, fati politik i Sinwarit tani mund të varet nga ajo se si përfundon lufta, dhe nëse palestinezët mendojnë se kanë fituar ndonjë gjë nga humbjet e tyre të mëdha.

Nëse ai mund të sigurojë lirimin e të gjithë të burgosurve palestinezë dhe shfuqizimin e bllokadës 16-vjeçare të Gazës, njerëzit mund të ndihen se kanë fituar diçka, thotë Hani al-Masri, analist veteran palestinez. Në të kundërtën, “do të jetë problem i madh” për Sinwarin personalisht, “sepse njerëzit do të thonë se ka pasur shkatërrim, dhe ne nuk kemi fituar asgjë”.

Sinwar ka arritur të shpallë një fitore politike – ndonëse ajo ka ardhur me një kosto masive të vdekjes së mijëra palestinezëve – pas njoftimit të planeve për një armëpushim të përkohshëm dhe për një shkëmbim të pengjeve me të burgosur ndërmjet Hamasit dhe Izraelit, të mërkurën.

Shkëmbimi, i cili ishte paraparë të niste të enjten, u shty më pas të paktën deri të premten. Izraeli nuk ka dhënë shpjegime të menjëhershme për shtyrjen.

Flokëthinjuri Sinwar besohet të ketë organizuar sulmin e befasishëm të 7 tetorit në Izraelin jugor, bashkë me figurën tjetër edhe më të fshehtë, Mohammed Deif, i cili udhëheq krahun e armatosur të Hamasit.

Sulmi zuri në befasi ushtrinë dhe shërbimet e inteligjencës në Izrael, dhe theu imazhin e Izraelit si i pamposhtshëm, teksa militantët vranë rreth 1.200 persona, kryesisht civilë, me brutalitet.

Hamasi ka thënë se e ka kryer sulmin në shenjë hakmarrjeje për shtimin e veprimeve izraelite kundër palestinezëve, si dhe për okupimin e vazhdueshëm të Bregut Perëndimor dhe për bllokadën e Gazës – por edhe për të kthyer kauzën palestineze në agjendën botërore.

Ajo që solli ai ishte një hakmarrje shkatërruese izraelite, që vrau mijëra persona dhe rrafshoi pjesë të mëdha të Gazës.

Për izraelitët, Sinwar është figurë e tmerrshme. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, e ka quajtur atë vrasës “që ia ka dëshmuar mbarë botës se Hamasi është më i lig se ISIS-i”, duke iu referuar grupit Shteti Islamik.

Mes palestinezëve, disa e respektojnë Sinwarin për rezistencën ndaj Izraelit dhe për qëndrimin e tij në Gazën e varfëruar, në krahasim me udhëheqësit e tjerë të Hamasit, të cilët jetojnë më rehatshëm jashtë territorit palestinez.

Në një gjest sfidues, dy vjet më parë, Sinwar e përfundoi njërin prej pak fjalimeve të tij publike, duke e ftuar Izraelin ta vriste atë, duke deklaruar: “Do të kthehem në këmbë në shtëpi pas këtij takimi”. Më pas, ai veproi pikërisht ashtu, duke shtrënguar duar e duke bërë fotografi me njerëz nëpër rrugë.

Por, atij, po ashtu, ia kanë shumë frikën për dorën e hekurt në Gazë, ku pakënaqësitë publike shtypen.

Për dallim nga paraqitjet e buta mediale të disa prej udhëheqësve politikë të Hamasit, Sinwar nuk është angazhuar që të ndërtojë imazh publik. Ai njihet si “Kasapi i Han Junisit” për qasjen e tij brutale ndaj palestinezëve që dyshohet se bashkëpunojnë me Izraelin.

Sinwar është lindur më 1962, në kampin e refugjatëve në Han Junis të Gazës, në një familje që ishte mes mijëra palestinezëve të zhvendosur nga ai që sot njihet si qyteti i Ashkelonit, gjatë luftës së 1948-ës, para krijimit të Izraelit.

Ai është ndër anëtarët më të hershëm të Hamasit, i cili është krijuar nga dega palestineze e Vëllazërisë Myslimane më 1987, kur enklava bregdetare ndodhej nën okupimin ushtarak izraelit.

Sinwar bindi themeluesin e grupit, Ahmed Yassin, se për të pasur sukses si organizatë rezistence, Hamasi duhej të pastronte radhët dhe t’i largonte spiunët e Izraelit. Ata krijuan një organizëm sigurie, i njohur asokohe si Majd, të cilin e udhëhiqte Sinwar.

I arrestuar nga Izraeli në fundin e viteve ’80, ai pranoi, gjatë marrjes në pyetje, se kishte vrarë 12 të dyshuar si kolaboracionistë. Sinwar do të dënohej me katër vjet burgim, për krime që përfshinin rrëmbimin dhe vrasjen e dy ushtarëve izraelitë.

Michael Koubi, ish-drejtor i departamentit të hetimeve në agjencinë izraelite të sigurisë, Shin Bet, i cili e kishte marrë personalisht në pyetje Sinwarin, kujton rrëfimin që i bëri më së shumti përshtypje: Sinwar kishte treguar se si e kishte detyruar një burrë ta varroste vëllain e tij të gjallë, sepse ai dyshohej se punonte për Izraelin.

“Sytë e tij ishin plot gëzim kur po na tregonte këtë ngjarje”, thotë Koubi.

Por, për të tjerët nëpër qeli, Sinwar ishte karizmatik, i shoqërueshëm dhe mendjemprehtë, i hapur ndaj të burgosurve nga të gjitha fraksionet politike.

Ai u bë udhëheqës i qindra anëtarëve të burgosur të Hamasit. Ai organizoi greva për përmirësimin e kushteve. Mësoi hebraishten dhe studioi shoqërinë izraelite.

“Të qenët udhëheqës brenda burgut i ka dhënë atij përvojë në negociata dhe dialog, dhe ai e ka mësuar mentalitetin e armikut dhe mënyrën e ndikimit tek ai”, thotë Anwar Yassine, qytetar libanez, i cili ka kaluar rreth 17 vjet në burgjet izraelite, një pjesë të madhe të të cilave me Sinwarin.

Yassine ka theksuar se si Sinwar gjithmonë e ka trajtuar atë me respekt, ndonëse ai i përket Partisë Komuniste të Libanit, parimet laike të së cilës bien ndesh me ideologjinë e Hamasit.

Më 2008, Sinwar i ka mbijetuar një forme agresive të kancerit në tru, pas trajtimit në një spital në Tel Aviv.

Kryeministri Benjamin Netanyahu e ka liruar atë më 2011, bashkë me rreth 1.000 të burgosur të tjerë, në shkëmbim të Gilad Schalitit, një ushtar izraelit i zënë rob nga Hamasi, gjatë një sulmi ndërkufitar. Netanyahu ishte kritikuar ashpër për lirimin e qindra të burgosurve, që ishin dënuar për përfshirje në sulme vdekjeprurëse.

Pas kthimit në Gazë, Sinwar është koordinuar ngushtë me udhëheqjen politike dhe krahun ushtarak të Hamasit, Brigadat Qassam. Ai, po ashtu, ka kultivuar një reputacion si njeri i pamëshirshëm. Besohet gjerësisht se ai qëndron prapa vrasjes së paprecedent të një komandanti të lartë të Hamasit, Mahmoud Ishtewi, më 2016, në një luftë të brendshme për pushtet.

Më 2017, ai u zgjodh shef i byrosë politike të Hamasit në Gazë. Sinwar ka bashkëpunuar me udhëheqësin e Hamasit në mërgim, Ismail Haniyeh, për të rirreshtuar grupin me Iranin dhe aleatët e tij, përfshirë Hezbollahun e Libanit. Ai, po ashtu, është përqendruar në ndërtimin e kapaciteteve ushtarake të Hamasit.

Për Hamasin, mbijetesa në luftë, në çfarëdo forme, do të sfidonte Izraelin dhe do të ofronte njëfarë fitore. Vetë Sinwar mund të mos mbijetojë.

“Unë jam i sigurt se ne një ditë do ta vrasim atë”, thotë Koubi. “Por, shkatërrimi i ideologjisë së rrënjosur prej tij nuk do të jetë i lehtë”./REL

IDF thotë se ka goditur 300 objektiva në Rripin e Gazës

Ushtria izraelite thotë se ka goditur 300 objektiva të Hamasit në Rripin e Gazës, në një përditësim rreth ofensivës së saj këtë mëngjes.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thonë në X se kanë nisur sulmet "nga ajri ditën e fundit, duke përfshirë selitë operacionale, tunele luftarake nëntokësore, depot e IED, vendet e prodhimit të IED dhe pozicionet e lëshimit antitank".

IDF thotë se shënjestroi zonën rreth Jabalia në Gazën veriore dhe "shkatërroi" një tunel që zbuloi në Beit Hanoun.

David Cameron zbarkon në Izrael për të takuar zyrtarë

Nga: A.Sh

David Cameron ka zbarkuar në Izrael për të takuar zyrtarë, ka njoftuar zyra e jashtme.

Gjatë vizitës së tij, sekretari i jashtëm do të takohet me zyrtarë izraelitë dhe palestinezë, shtohet ajo.

Kjo vjen pasi ish-kryeministri u takua dje me homologë nga vendet arabe dhe islamike në Londër për të diskutuar konfliktin Izrael-Hamas.

Kryeministri Rishi Sunak dhe paraardhësi i Lord Cameron, James Cleverly, kanë vizituar tashmë Izraelin që nga fillimi i konfliktit muajin e kaluar.

Hezbollahu thotë se djali i një deputeti të lartë u vra në sulmin izraelit

Nga: A.Sh

Pesë anëtarë të Hezbollahut – milicia e fuqishme e mbështetur nga Irani në Liban – janë vrarë në një sulm izraelit në Beit Yahoun, në jug të Libanit, sipas grupit islamik shiit, përcjell Bota sot.

Abbas Raad, djali i figurës së lartë të Hezbollahut dhe ligjvënësit libanez Mohammad Raad ishte një prej tyre, thotë grupi.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, gjithsej 85 luftëtarë të Hezbollahut janë vrarë tani që nga shpërthimi i dhunës përgjatë kufirit Izrael-Liban.

Ushtria izraelite tha se goditi disa objektiva të Hezbollahut në Liban të mërkurën në mbrëmje, duke përfshirë "infrastrukturën terroriste" dhe "celula terroriste" që u përpoqën të lëshonin raketa në Izrael dhe qëlluan ndaj trupave izraelite.

Hezbollahu është forca më e madhe politike dhe ushtarake në Liban. Ajo është klasifikuar si një organizatë terroriste nga Britania e Madhe, SHBA dhe Liga Arabe.

SHBA shpreson se marrëveshja për lirimin e pengjeve mund të fillojë të premten në mëngjes

Nga: A.Sh

Shtëpia e Bardhë shpreson se lirimi i pengjeve mund të fillojë herët të premten, me zëdhënësen e saj duke theksuar se marrëveshja midis Hamasit dhe Izraelit është "në rrugën e duhur", përcjell Bota sot.

Marrëveshja - e cila përfshin një pauzë katër-ditore të luftimeve - ishte planifikuar të bëhej në orën 10:00 me orën lokale të enjten.

“Marrëveshja u ra dakord dhe mbetet e dakorduar. Palët po përpunojnë detajet përfundimtare logjistike veçanërisht për ditën e parë të zbatimit,” sipas raporteve që citojnë zëdhënësen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, Adrienne Watson.

“Objektivi ynë kryesor është të sigurojmë që ata të sillen në shtëpi të sigurt. Kjo është në rrugën e duhur dhe ne shpresojmë që zbatimi do të fillojë të premten në mëngjes.”

Këshilltari i sigurisë kombëtare i Izraelit Tzachi Hanegbi tha të mërkurën vonë se marrëveshja nuk do të bëhej përpara të premtes, por nuk shpjegoi vonesën.

Transmetuesi publik izraelit Kan, duke cituar një zyrtar izraelit, kishte raportuar më herët se kishte një vonesë pasi marrëveshja nuk u nënshkrua nga Hamasi dhe ndërmjetësi Katar, por shtoi se ata ishin optimistë se ajo do të zbatohej pas nënshkrimit.

Më shumë se 50 persona nga e njëjta familje u vranë në Gaza, thotë Autoriteti Palestinez

Nga: A.Sh

Siç kemi raportuar, pauza e rënë dakord në luftime nuk ka filluar ende - dhe agjencia palestineze e lajmeve Wafa ka raportuar dhjetëra njerëz të vrarë në sulmet izraelite të mërkurën, përcjell Bota sot.

Ministri i Jashtëm i Autoritetit Palestinez (PA), Riyad al-Maliki, ka thënë se 52 nga të vrarët në kampin e refugjatëve Jabalia në veri të Gazës të mërkurën në mëngjes i përkisnin së njëjtës familje.

“Vetëm sot në mëngjes, nga familja Qadoura në Jabalia, 52 persona janë zhdukur plotësisht, janë vrarë”, tha ai gjatë një udhëtimi në Londër.

“Kam listën me emra, 52 prej tyre, janë zhdukur krejtësisht nga gjyshi te nipërit”.

BBC nuk ka qenë në gjendje ta verifikojë këtë në mënyrë të pavarur. Për kujtesë, PA-ja është e vendosur në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe është krejtësisht e ndarë nga Hamas.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat