Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken thotë se katër vende arabe dhe Turqia kanë rënë dakord të fillojnë planifikimin për rindërtimin pas konfliktit dhe qeverisjen e Gazës, sapo të përfundojë lufta e Izraelit kundër Hamasit.
Në një mision urgjent në Lindjen e Mesme që synon kryesisht frenimin e përhapjes së konfliktit në një luftë rajonale, Blinken tha të hënën se Arabia Saudite, Jordania, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqia do të konsideronin pjesëmarrjen dhe kontributin për të rindërtuar pas luftës Rripin e Gazës, i cili është shkatërruar nga bombardimet izraelite në tre muajt e fundit. Këto vende i kishin rezistuar më parë thirrjeve të Shteteve të Bashkuara për fillimin e planifikimit të pasluftës, duke këmbëngulur se së pari duhet të ketë një armëpushim dhe pakësim të vuajtjeve të civilëve, të shkaktuar nga ofensiva ushtarake e Izraelit në përgjigje të sulmit vdekjeprurës të Hamasit në Izrael më 7 tetor.
Në turneun e tij të fundit në Lindjen e Mesme, i katërti që nga fillimi i luftës në tetor, Blinken tha se ato vende tani janë të hapura për një planifikim të tillë dhe se secili do të konsideronte përfshirjen e tij në atë që do të vendoset përfundimisht.
"Ne ramë dakord të punojmë së bashku dhe të koordinojmë përpjekjet tona për të ndihmuar në stabilizimin dhe rimëkëmbjen e Gazës, për të hartuar një rrugë politike përpara për palestinezët dhe për të punuar drejt paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në rajon në tërësi", u tha Blinken gazetarëve.
Ai nuk ofroi detaje për kontributet e mundshme të këtyre vendeve.
Ai tha gjithashtu se Turqia dhe katër vendet arabe kishin rënë dakord të përdorin ndikimin e tyre për të frenuar zgjerimin e luftës së Gazës në një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme, që do të ishte shkatërrues për rajonin dhe do të kishte pasoja negative në tregtinë dhe ekonominë globale.
Sekretari Blinken i bëri komentet pas takimit me Princin saudit Mohammed bin Salman në kampin e tij dimëror jashtë qytetit Al Ula në në pjesën perëndimore të Arabisë Saudite, të cilin vendi po e shndërron në një destinacion të madh turistik./VOA