Të paktën 12 fëmijë dhe dy mësuesit u mbytën në Indi, kur varka me të cilën po udhëtonin gjatë një pikniku u përmbys në një liqen në shtetin Gujarat.
Ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin nga uji 19 nxënës dhe dy mësues të tjerë, të cilët po i nënshtrohen trajtimit në një spital aty pranë.
Ndërsa shkaku i incidentit nuk dihet ende, dëshmitarët okularë thonë se varka ishte e mbushur përtej kapacitetit të saj prej 14 pasagjerësh. Shumë prindër kanë pretenduar se fëmijët nuk kanë pasur jelekë shpëtimi dhe kanë akuzuar autoritetet se rrezikojnë jetën e tyre duke shkelur normat e sigurisë.
“Ky [incident] është rezultat i neglizhencës…ka përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të sistemit, qeverisë dhe shkollës,” tha një prind. Disa prindër kanë pretenduar se nuk ishin të informuar për udhëtimin me varkë dhe incidentin. Qeveria e Gujarat ka urdhëruar një hetim për incidentin dhe ka kërkuar një raport brenda 10 ditëve.