Anija e marinës britanike rrëzon dronin e Houthive
Së fundmi, një anije luftarake britanike ka rrëzuar një dron Houthi i cili synonte anijen ndërkombëtare në Detin e Kuq.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se nuk raportohet për të lënduar apo dëme.
Edhe pse Houthit kanë shënjestruar anijet që udhëtojnë përmes Detit të Kuq, sekretari i Mbrojtjes, Grant Shapps, tha se Britania e Madhe mbetet “e pa trembur” nga sulmet.
“Angazhimi ynë për të mbrojtur jetët e pafajshme dhe lirinë e lundrimit është absolutisht i palëkundur”, tha Shapps.
Gjithashtu, edhe Ministria e Mbrojtjes e cilësoi këtë sulm si të patolerueshëm, të paligjshëm, dhe të papranueshëm.
Ndryshe, në fillim të kësaj jave SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë nisur sulme të përbashkëta ajrore kundër objektivave Houthi në Jemen.
Këto veprime vijnë pasi Houthit kanë shënjestruar anijet ndërkombëtare në Detin e Kuq, dhe kanë deklaruar mbështetje për Hamasin.
Netanyahu kritikon familjet e pengjeve: Me protesta po e ndihmoni Hamasin
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu akuzoi protestuesit, anëtarët e familjeve të të cilëve mbahen peng nga grupi militant palestinez Hamas, për ndihmën ndaj militantëve palestinezë.
Ai komentoi protestat e mbrëmshme në një konferencë për shtyp në Tel Aviv, shkruan jp.
“Unë e kuptoj se është e pamundur të kontrollosh emocionet e dikujt. Megjithatë, protestat nuk ndihmojnë dhe ato vetëm i bëjnë kërkesat e Hamasit më të ashpra dhe zgjasin rezultatet që të gjithë dëshirojmë”, pohoi udhëheqësi izraelit.
Familjet e pengjeve u përgjigjën, duke i thënë se ai ishte një zyrtar i zgjedhur, detyra e të cilit ishte të korrigjonte gabimet. Atij iu kujtuan protestat e sigurisë që u zhvilluan më 7 tetor, kur Hamasi sulmoi Izraelin.
Netanyahu theksoi se qëllimi i qeverisë izraelite është të eliminojë Hamasin dhe se lufta kundër Hamasit nuk do të përfundojë derisa të arrihet ky qëllim.
“Ka nga ata mes nesh që dyshojnë në aftësitë tona, por ata janë pakicë”, tha ai.
Ndryshe, Netanyahu beson se hetimi për sulmet e Hamasit duhet të bëhet vetëm pas përfundimit të luftës dhe jo në mes të luftës.