Agjencia e OKB-së për Palestinën, UNRWA ka paralajmëruar për një katastrofë humanitare në Rripin e Gazës.
Ekspertë të OKB-së u bënë thirrje vendeve të ndryshme që të rishikojnë vendimin për të ndalur financimet për agjencinë, i marrë pas skandalit për mbështetjen e Hamasit. Shefi i Politikës së Jashtme të BE, Josep Borrell siguroi se Gjermania dhe Franca do vijojnë financimet.
Ndërkohë, familjarë të pengjeve izraelite druhen se kriza po rëndon situatën e të afërmve që mbahen atje. Në Tel Aviv vazhduan manifestimet me kërkesën për vendosjen e një armëpushimi në këmbim të lirimit të atyre që mbahen rob. Të shtunën, policia izraelite u angazhua për të parandaluar që mijëra protestues të mbushnin rrugët.
Një shpresë e fundit për armëpushim, e ndërmjetësuar nga Egjipti, Katari dhe SHBA, mban ende. Sipas mediave nga Lindja e Mesme, Hamasi po e diskuton ‘iniciativën e Parisit’ me të gjitha fraksionet palestineze.
Lëvizja, e konsideruar si “terroriste” nga shumë vende, dha më herët konsensusin e saj për një marrëveshje, por shprehu shqetësimin për disa pika.