Hamasi zgjedh liderin e ri politik pas vrasjes së Haniyeh

Azia

Hamasi zgjedh liderin e ri politik pas vrasjes së Haniyeh

Më: 6 gusht 2024 Në ora: 21:28
Jahya Sinwar

Hamasi ka njoftuar zyrtarisht se Jahya Sinwar do të jetë kreu i ri politik i këtij grupi ushtarak nga Gaza, pas vrasjes së Ismail Haniyeh në Teheran.

Sinwar, i cili është udhëheqësi i Hamasit në Gaza, konsiderohet gjerësisht si arkitekti i sulmit të 7 tetorit që shkaktoi luftën e Izraelit në Gaza.

Ai në muajin shkurt të vitit 2017 u zgjodh udhëheqës i Hamasit në Rripin e Gazës dhe konsiderohet si radikal, raporton timesofisrael.

Palestinezi 61-vjeçar kaloi 23 vjet në burgjet izraelite përpara se të lirohej në vitin 2011 si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve.

I lindur në Khan Yunis në Rripin e Gazës, ai iu bashkua Hamasit kur u themelua në vitin 1987, viti i intifadës ose kryengritjes së parë palestineze, shkruan reuters.

Sinwar, i cili lëviz fshehtazi nëpër tunelet e Gazës, nuk është shfaqur në publik që nga 7 tetori dhe është në listën e terroristëve të rrezikshëm të SHBA-së.

Al Arabiya raportoi se Muhamed Ismail Darwish u zgjodh si kreu i përkohshëm i zyrës politike të Hamasit, duke pasuar Haniyeh, në pritje të zgjedhjeve brenda Hamasit. Megjithatë, duket se këto zgjedhje janë përshpejtuar. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat