Gjashtëvjeçari gjendet në pyllin e Vietnamit pesë ditë pas zhdukjes

Azia

Gjashtëvjeçari gjendet në pyllin e Vietnamit pesë ditë pas zhdukjes

Më: 22 gusht 2024 Në ora: 10:22
Lami u gjet nga vendasit të cilët dëgjuan të qarat e një fëmije teksa po punonin pranë pyllit

Një djalë gjashtëvjeçar, i cili ishte zhdukur për pesë ditë, tani është gjetur thellë në një pyll në Vietnam.

Dang Tien Lam, i cili jeton në provincën veriperëndimore Yen Bai, po luante në një lumë me nëntë vëllezërit e motrat e tij më 17 gusht, kur u end nëpër kodra dhe humbi, thanë raportet lokale.

Ai u gjet të mërkurën nga fermerët vendas të cilët dëgjuan të qarat e një fëmije ndërsa po pastronin një fushë kanelle afër pyllit, raporton BBC.

Lam, i cili u gjet i ulur në shkurre rreth 10 kilometra nga vendi ku u zhduk, ishte dobësuar aq shumë sa nuk ishte në gjendje të qëndronte në këmbë.

“Jam shumë i lodhur, nuk mund të ngrihem, të lutem më mbaj lart,” tha Lam, sipas fermerit 52-vjeçar Ly Van Nang, i cili ishte ndër ata që gjetën djalin.

Lam mbijetoi me gjethe dhe fruta të egra, si dhe duke pirë ujë të përrenjve, thanë raportet.

Policia tha se ishte një “mrekulli” që Lam u gjet i gjallë, duke shtuar se ai është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. “Urime që u kthyet shëndoshë e mirë pranë familjes”, shkruan ata në një postim në Facebook.

Autoritetet lokale kishin mobilizuar më shumë se 150 njerëz – duke përfshirë oficerë policie, ushtarë dhe vullnetarë lokalë – në kërkim të Lamit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat