New York/ Nënsekretarja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Çështjet Humanitare dhe zëvendëskoordinatorja e Ndihmës Emergjente, Joyce Msuya, paralajmëroi komunitetin ndërkombëtar se nevojat humanitare në Siri kanë arritur nivelin më të lartë, raporton Anadolu.
“Populli sirian vazhdon të përballet me një krizë të thellë humanitare. Mbi 16 milionë njerëz, më shumë se 70 për qind e popullsisë kanë nevojë për ndihmë, tre të katërtat e të cilëve janë gra dhe fëmijë”, tha Msuya në konferencën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për situatën humanitare në Siri.
Ajo duke tërhequr vëmendjen në përqindjet e zhvendosjeve në Siri tha: “Më shumë se 6 milionë sirianë vazhdojnë të jetojnë si refugjatë ose azilkërkues, kryesisht në vendet fqinje”.
“Familjet me kryefamiljare femra në veri të Sirisë (për shkak të shpërbërjes së familjes) janë dy herë më shumë se familjet me kryefamiljarë meshkuj dhe raportojnë se nuk janë në gjendje të plotësojnë nevojat e tyre themelore”, tha më tej Msuya duke treguar se nga kriza më së shumti ndikohen gratë dhe fëmijët.
Zyrtarja e OKB-së vuri në dukje se është vendosur që këtë vit rajonit t’i jepen 4.1 miliardë dollarë ndihmë, por ndihma aktuale ka mbetur nën 1 miliard dollarë dhe për këtë shkak është rritur numri i vajzave që detyrohen të martohen dhe punëtorëve fëmijë.
Lidhur me dërgimin e ndihmës së huaj për njerëzit në nevojë në Siri, Msuya tha: “Për këta persona, (ndihmat) ndërkufitare nga Türkiye vazhdojnë të jenë një shpëtimtar. Kjo jo vetëm që lehtëson transitin e furnizimeve të ndihmës, por gjithashtu lehtëson vizitat nga stafi i OKB-së për të siguruar shpërndarjen efektive dhe efikase të ndihmës”.