Në përmbytjet e rrëmbyeshme që goditën Jemenin verior këtë javë, të paktën 33 persona kanë humbur jetën, ndërsa 38 rezultojnë të zhdukur dhe më shumë se 200 shtëpi u dëmtuan, njoftuan sot zyrtarët lokalë.
Shirat e dendura, që filluan të martën, shkaktuan përmbytje masive dhe shkaktuan rrëshqitje dheu në provincën Al-Mahvit, duke lënë të vdekur 33 njerëz, duke shkatërruar 28 shtëpi dhe duke dëmtuar të paktën 200.
Gjysmëhëna e Kuqe e Jemenit njoftoi sot se 38 persona janë ende të zhdukur dhe se agjencia është duke i kërkuar në mënyrë aktive.
Jemeni tashmë është goditur nga një luftë e përgjakshme civile që përfshiu vendin në vitin 2014, kur rebelët Houthi të mbështetur nga Irani morën kontrollin e kryeqytetit Sana dhe pjesën më të madhe të veriut dhe detyruan qeverinë e njohur ndërkombëtarisht në mërgim.
Mbi 33 mijë familje në të gjithë vendin janë prekur nga përmbytjet që nga fillimi i sezonit të munsoneve në Jemen në mes të korrikut.
Rebelët Houthi thanë në një deklaratë të mërkurën se 86 njerëz kishin humbur jetën nga përmbytjet në qytetin jugor të Hodeidah, Rema dhe Hajjah.