Një burrë nga Hong Kongu është dënuar me 14 muaj burgim, pasi u shpall fajtor për veshjen e një bluze pa mëngë me një slogan protestues.
Afati i burgut është i pari i dhënë nga gjykata e qytetit sipas një ligji të ri lokal të sigurisë kombëtare, që u miratua në mars, transmeton Telegrafi.
Ligji, i quajtur gjithashtu neni 23, zgjeron ligjin e sigurisë kombëtare që u imponua nga Pekini në vitin 2020.
Kritikët kishin frikë se ligji mund të gërryente më tej liritë civile në qytet, ndërsa Pekini dhe Hong Kongu e mbrojtën atë, duke thënë se ishte i nevojshëm për stabilitet.
Chu Kai-pong, 27 vjeç, u arrestua në një stacion metroje në qershor me një bluzë me frazën “Çlironi Hong Kongun, revolucionin e kohëve tona”.
Ai kishte bartur edhe një maskë ku shkruhej “FDNOL” – iniciale për një tjetër slogan, “Pesë kërkesa, jo një më pak”.
Të dyja sloganet u dëgjuan shpesh në protestat në shkallë të gjerë në Hong Kong, gjatë demonstratave disamujore antiqeveritare në 2019.
Mediat lokale raportuan se ai mbante gjithashtu një kuti me jashtëqitjet e tij, për ta përdorur kundër njerëzve që kundërshtonin pikëpamjet e tij.