Ushtria izraelite tha të enjten se kreu sulme kundër shtatë pozicioneve të Hezbollahut në Libanin jugor, ndërsa njoftoi gjithashtu arrestimin e një shtetasi izraelit të dyshuar për përfshirje në një komplot të mbështetur nga Irani për të vrarë zyrtarë izraelitë.
Autoritetet izraelite thanë përmes një deklarate se personi i arrestuar ishte një biznesmen me lidhje në Turqi, i cili mori pjesë në të paktën dy takime në Iran dhe se objektivat e mundshëm të komplotit përfshinin kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant.
Arrestimi u bë muajin e kaluar, thuhet në deklaratë.
Përveç sulmeve izraelite të enjten, ushtria izraelite raportoi gjithashtu se disa dronë kishin kaluar nga Libani në territorin izraelit.
Sulmet e fundit ndërkufitare pasuan shpërthimet e radiove të dorës dhe pajisjeve të komunikimit “pager” të përdorura nga Hezbollahu në Liban, që shkaktuan vrasjen e të paktën 32 njerëzve dhe plagosjen e mbi 3,000 të tjerëve të martën dhe të mërkurën. Për këto shpërthime, Hezbollahu fajësoi Izraelin, i cili as nuk e ka konfirmuar dhe as nuk e ka mohuar përfshirjen.
Ministri izraelit i mbrojtjes Yoav Gallant tha të enjten se ai kishte folur në telefon me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin për situatën në rajon, duke përfshirë "mbrojtjen e Izraelit kundër kërcënimeve të Hezbollahut".
Pentagoni tha se Sekretari Austin përsëriti "mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për Izraelin përballë kërcënimeve" nga Irani, Hezbollahu dhe partnerë të tjerë iranianë në rajon.
“Sekretari Austin theksoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të frenuar kundërshtarët rajonalë dhe përpjekjet për të ulur tensionet në të gjithë rajonin”, tha një zëdhënës i Pentagonit.
Shpërthimet e pajisjeve
Shpërthimet e pajisjeve të komunikimit “pager” dhe radiove të dorës pasuan njoftimin e Izraelit se po zgjeronte objektivat e luftës kundër militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës, duke përfshirë mbrojtjen e Izraelit verior nga sulmet e Hezbollahut me raketa.
Por disa ish-zyrtarë të zbulimit argumentojnë se shpërthimi i pajisjeve “pager” të Hezbollahut, radiove të dorës dhe pajisjeve të tjera mund të jetë pjesë e një përpjekjeje izraelite për të realizuar objektivat e tij pa patur nevojë të luftojë.
"Ajo që Izraeli po përpiqet të bëjë është të arrijë të pengojë Hezbollahun që të mos kryejë sulme me 50-60 raketa në ditë, por pa rrezikuar një luftë më të gjerë", tha Daniel Hoffman, ish zyrtar i CIA-s.
Zoti Hoffman i tha Zërit të Amerikës se operacioni, që dyshohet së është kryer nga Izraeli, mund të ketë qenë gjithashtu një përpjekje për të dobësuar pozitën e Hezbollahut në Liban.
“Ai synon të distancojë qytetarët e Libanit nga Hezbollahu”, tha ai. “Mesazhi është, ‘nuk duhet të jeni afër anëtarëve të Hezbollahut’”.
Ish zyrtari i CIA-s, Daniel Hoffman tha se, duke patur parasysh aftësitë e shërbimeve izraelite të zbulimit, nuk mund të përjashtohet mundësia e operacioneve ndaj llojeve të tjera të pajisjeve të Hezbollahut në të ardhmen.
Ish-zyrtarë të tjerë të zbulimit kanë sugjeruar se operacioni për të hedhur në erë pajisjet e komunikimit gjithashtu i jep Izraelit një avantazh nëse tensionet me Hezbollahun përshkallëzohen.
Sipas tyre, këto shpërthime të paktën kanë dobësuar aftësinë e Hezbollahut për të komunikuar në kohë krize dhe njëkohësisht nxjerrin militantët kryesorë nga fusha e betejës.
Hezbollahu filloi të përdorte pajisjet e komunikimit “pager”, pasi udhëheqësi i grupit i urdhëroi anëtarët të ndalonin përdorimin e celularëve mes shqetësimeve se Izraeli mund të përgjonte dhe gjurmonte komunikimet e tyre.
Dr. Tania Baban, një mjeke në Liban që punon për shoqatën bamirëse mjekësore me qendër në Shtetet e Bashkuara, “MedGlobal”, i tha Zërit të Amerikës se grupi i saj kreu më shumë se 460 operacione të lidhura me plagët e shkaktuara nga shpërthimet e pajisjeve “pager” të martën, duke përfshirë amputime të gishtave dhe duarve.
Ekspertët e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe Shtetet e Bashkuara u thanë mediave amerikane se besojnë se në një farë mënyre agjentët izraelitë gjurmuan dërgesat e pajisjeve “pager”, duke arritur t’i mbushnin ato me eksplozivë përpara se të mbërrinin në Liban dhe të shpërndaheshin nga Hezbollahu.
Hsu Ching-Kuang, themelues i kompanisë “Gold Apollo” me bazë në Tajvan, u tha gazetarëve të mërkurën se kompania e tij nuk prodhonte më pajisje “pager”, edhe pse logoja e saj u panë në mbetjet e pajisjeve të shpërthyera, që u ekzaminuan të martën.
Ai tha se firma “Gold Apollo” kishte lejuar që marka e saj të përdorej në pajisjet e prodhuara dhe të shitura nga një kompani e quajtur “BAC” me adresë në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest.
Disa të dhëna të përdorura në këtë artikull janë marrë nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters./VOA