Vazhdojnë sulmet ajrore dhe kërcënimet Izrael-Hezbollah

Azia

Vazhdojnë sulmet ajrore dhe kërcënimet Izrael-Hezbollah

Më: 23 shtator 2024 Në ora: 17:29
Foto ilustrim

Forcat ajrore të Izraelit kryen të hënën dhjetëra sulme në Libanin jugor, duke ju bërë thirrje banorëve që të largohen nga zonat ku grupi militant Hezbollah mban armët. Zyrtarët e Libanit thanë se sulmet vranë mbi 180 njerëz. Sulmet izraelite u bënë një ditë pasi Hezbollahu sulmoi Izraelin me mbi 150 raketa, disa prej të cilave arritën deri në qytetin e Haifas. Lufta është intensifikuar pasi Izraeli javën e kaluar vrau një nga komandantët kryesorë dhe dhjetëra anëtarë të Hezbollahut në periferi të Beirutit. Izraeli dhe Hezbollahu kanë paralajmëruar për vazhdimin e sulmeve, që sipas analistëve, rrezikojnë jo vetëm një luftë të gjerë në mes të dy vendeve, por edhe tërë rajonin.

Izraeli kreu dhjetëra sulme ajrore të hënën në Liban duke vënë në shënjestër atë që ushtria izraelite thotë se janë depo armësh të grupit militant Hezbollah.

Shtëllunga tymi u ngritën mbi kodra në kufirin midis Izraelit dhe Libanit.

Izraeli paralajmëroi banorët që të largoheshin nga zonat ku ata thonë se Hezbollahu mban armët me të cilat sulmon Izraelin.

Të hënën zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari njoftoi se Izraeli po përgatitet për sulme të reja në luginën Bekaa të Libanit.

“Unë paralajmëroj banorët libanezë të fshatrave në Bekaa. Banorët pranë ndërtesave, ose brenda shtëpive ku ruhen raketat ose armët, të largohen menjëherë. Hezbollahu ka për qëllim t'i lëshojë këto armë drejt territorit izraelit dhe ne nuk do ta lejojmë këtë. Dëgjoni paralajmërimet dhe mesazhet që jepen nga ne për sigurinë tuaj dhe të familjeve tuaja”, tha zoti Hagari.

“Erdha te shkolla ta marrë djalin për shkak të telefonatave. Ata po thërrasin dhe po kërcënojnë me telefon. Situata nuk është e mirë”, thotë Issa, banor i Bejrutit.

Sulmet izraelite janë përgjigje ndaj sulmeve me raketa të Hezbollahut të dielën, disa prej të cilave arritën deri në qytetin Haifa.

Disa shtëpi janë dëmtuar, ndërsa një 17 vjeçar u vra pasi humbi kontrollin e makinës së tij për shkak të sirenat që paralajmëruan për sulmet e Hezbollahut.

Banorë të tjerë izraelitë shkuan drejt vend-strehimeve.

“Nuk e kishim menduar se rekatat do të arrinin deri këtu. Është një situatë e vështirë. Jemi para pushimeve të festave. Kush e di se çfarë do të ndodhë? Me ndihmën e Zotit mbase do të bëhet më mirë”, thotë Sea Sabag, banore e Haifas.

Hezbollahu njoftoi se i vazhdoi sulmet edhe sot (të hënën) duke hedhur dhjetëra raketa në një postë ushtarake izraelite në Galile. Sulmet, për të dytën ditë me radhë, synojnë objektet e firmës mbrojtëse Rafael, me seli në Haifa.

Autoritetet izraelite gjithashtu raportuan një seri sulmesh ajrore në Izraelin verior nga Libani.

Zëvendës shefi i Hezbollahut Naim Qassem tha se sulmet ndaj Izraelit do të vazhdojnë.

“Kërcënimet nuk do të na ndalojnë dhe ne nuk kemi frikë nga skenari më i keq. Jemi gati të përballemi me të gjitha veprimet ushtarake”, thotë Naim Qassem.

Analistët izraelitë thonë se Hezbollahu ka pësuar një goditje të rëndë javën e kaluar, kur mijëra pajisje personale komunikimi shpërthyen gjatë një operacioni të cilin pavarësisht dyshimeve, Izraeli nuk e konfirmoi se ishte i përfshirë. Gjatë këtij incidenti, mbi 30 veta u vranë dhe 3000 të tjerë u plagosën.

“Ishte një dëm që shkaktoi shumë konfuzion dhe dëmtoi komandën dhe kontrollin e Hezbollahut si organizatë. Është vërtet e vështirë të organizosh një ushtri kur nuk ke një mënyrë për të komunikuar dhe 3000 komandantë apo operativë nuk mund të funksionojnë”, thotë Sarit Zehavi, eksperte për Libanin te Qendra Alma.

Megjithatë, zonja Zehavi thotë se Hezbollahu ka ende aftësi të konsiderueshme dhe dhjetëra mijëra raketa.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thotë se sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor ishte i paprovokuar dhe Hezbollahu iu bashkua sulmeve ndaj Izraelit të nesërmen. Zoti Netanyahu tha se do të vazhdojnë sulmet.

Analistët izraelitë thonë se deri më tani, si Izraeli ashtu edhe Hezbollahu janë frenuar nga një luftë më e gjerë. Izraeli nuk e ka goditur infrastrukturën libaneze, siç janë termocentralet dhe Hezbollahu nuk ka qëlluar mbi Izraelin qendror.

Giora Eiland, ish-këshilltar për sigurinë kombëtare, thotë se çfarë do të ndodhë më tej i takon Iranit, i cili e kontrollon Hezbollahun.

“Iranianët do t'u thonë atyre të ndalojnë luftën vetëm nëse ka një lloj trysnie ndërkombëtare, trysni amerikane, franceze dhe të tjerë. Për të mirën e të gjithëve është më mirë të ndalohet ky përshkallëzim. Nëse nuk e ndalojmë, jo vetëm që do të sjellë një luftë të gjerë midis Izraelit dhe Hezbollahut, por siç vlerësojnë shumë njerëz, mund të përfshijë tërë rajonin”, thotë zoti Eiland.

Izraeli mbetet në gatishmëri të lartë për sulme të tjera nga Hezbollahu. Shkollat në Izraelin verior do të mbeten të mbyllura dhe një pjesë e spitaleve po punojnë nën tokë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat