Mijëra qytetarë libanezë janë larguar nga jugu pasi sulmet ajrore izraelite lanë qindra të vdekur dhe ushtria i paralajmëroi të evakuoheshin përpara një fushate ajrore të zgjeruar kundër Hezbollahut.
Bëhet e ditur se autostrada kryesore nga qyteti port jugor i Sidonit u bllokua nga veturat që po shkonin drejt Bejrutit në eksodin më të madh që nga luftimet e vitit 2006.
Më shumë se 1,000 njerëz të tjerë u plagosën në sulme – një numër tronditës për një vend që ende po lëkundet nga një sulm vdekjeprurës ndaj pajisjeve të komunikimit javën e kaluar, shkruan euronews.
Ministria e shëndetësisë e Libanit tha se të paktën 274 njerëz u vranë dhe 1,024 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore të Izraelit, duke përfshirë fëmijë, gra dhe ekuipazhe emergjente, në një nga breshëritë më vdekjeprurëse në gati një vit luftime.
Gjenerali i ushtrisë izraelite Herzi Halevi ka miratuar sulme shtesë nga selia ushtarake në Tel Aviv dhe ka premtuar veprime më të ashpra kundër grupit militant.
Andaj, IDF u ka bërë thirrje civilëve që jetojnë pranë objektivave të Hezbollahut të evakuohen menjëherë.
Gjithashtu, civilët janë paralajmëruar që të mos lejojnë militantët e Hezbollahut të përdorin shtëpitë e tyre për të ruajtur armë.