Ushtria izraelite: Vritet një komandant i lartë i Hezbollahut

Azia

Ushtria izraelite: Vritet një komandant i lartë i Hezbollahut

Më: 24 shtator 2024 Në ora: 21:16
Pamje të një shtëpie të rrënuar nga një sulm ajror izraelite në fshatin Khiam, në pjesën jugore të Libanit, më 24 shtator, 2024

BEJRUT – Ushtria izraelite njoftoi të martën se vrau një komandant të lartë të njësitit të Hezbollahut për raketat, ndërkohë që Izraeli dhe grupi militant vazhduan të shkëmbejnë zjarr dhe fushata masive bombarduese izraelite shkaktoi vdekjen e mbi 560 personave.

Ushtria izraelite e identifikoi atë si Ibrahim Kobeisi, përgjegjës për hedhjen e raketave në Izrael, sipas zyrtarëve izraelitë.

Ndërkohë, sipas zëvendës Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, Jon Finer, zyrtarët e administratës së Presidentit Biden janë të angazhuar në bisedime me aleatët për të ndihmuar në shtensionimin ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut.

“Po punojmë në kohë reale këtu në Nju Jork dhe nëpër kryeqytetet e botës”, deklaroi zoti Finer. “Nuk mund t’i bëjmë publike të gjitha detajet e këtyre bisedimeve të ndjeshme, por duam që konflikti të mos përshkallëzohet”.

Zoti Finer iu shmang pyetjeve nëse luftimet tashmë janë shndërruar në luftë të hapur me Libanin, për të cilën Shtetet e Bashkuara i bën trysni që ta shmangte ndërkohë që vazhdon konfliktin njëvjeçar në Gazë. Por ai tha se një “luftë e madhe, një luftë më e gjerë” nuk është në interesin e Izraelit e as të Libanit.

Mijëra njerëz u larguan nga pjesa jugore e Libanit ndërkohë që palët u afruan gjithnjë e më shumë afër një lufte të hapur. Në Bejrut dhe qytetin bregdetar Sidon, familjet e zhvendosura fjetën në strehimoret e improvizuara në objekte shkollore. Hotelet janë stërmbushur përtej kapacitetit dhe çmimet e dhomave shkuan përtej buxhetit të shumë familjeve, duke i detyruar ata që nuk gjetën strehim të bëjnë gjumin në vetura, parqe dhe përgjatë detit.

Autoritetet shëndetësore libaneze thanë se numri i të vdekurve nga bombardimet izraelite ndaj militantëve të Hezbollahut gjatë dy ditëve të fundit arriti shifrën prej 558 personave.

Ushtria e Izraelit tha se do të “bëjë çfarëdo që është e nevojshme” për të larguar Hezbollahun nga kufiri i Libanit me Izraelin. Izraeli dhe Hezbollahu shkëmbyen sulme që kur filloi lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Të hënën Izraeli filloi të bombardojë pjesët jugore dhe lindore të Libanit. Rreth 1,600 persona janë plagosur gjatë dy ditëve të fundit.

“Hezbollahu i sotëm nuk është Hezbollahu i para një jave. Goditjet ndaj qendrës së komandës dhe të kontrollit, ndaj pjesëtarëve të saj, ndaj armëve – të gjitha ishin goditje shumë serioze”, tha Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant.

Mijëra njerëz u larguan nga pjesa jugore e Libanit, duke ngarkuar rrugën kryesore në drejtim të Bejrutit, në dyndjen e parë të këtyre përmasave që nga lufta e vitit 2006 ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut.

Hezbollahu hodhi rreth 100 raketa në drejtim të Izraelit të martën, sipas ushtrisë izraelite./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat