Në internet po qarkullon një video e një aksidenti të tmerrshëm trafiku në Tajlandë, ku janë shkatërruar ose dëmtuar 16 vetura dhe kanë mbetur të plagosur 17 persona.
Gjithçka ndodhi në provincën Samut Prakan, pasi një kamion me një rimorkio u përplas me një kolonë automjetesh.
Një aksident i rëndë në autostradë është regjistruar nga kamerat e vëzhgimit dhe policia është dashur të mbyllë seksionin ndërkohë që të plagosurit po nxirren, raporton metro.co.uk.
“Trafiku po ngadalësohej dhe më pas dëgjova kërcitjen e frenave. Një moment më vonë, pashë vetura që fluturonin në të gjitha drejtimet”, tha dëshmitari Prasert Ketbong (51).
Ekipet e urgjencës kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë transportuar 17 persona në spital, mes tyre edhe shoferin e kamionit.
“Do të dëgjojmë të plagosurit, si dhe shoferin e kamionit. Publiku do të informohet për procesin, konform procedurës”, njofton policia.
Shoferi i kamionit pretendon se për aksidentin janë fajtorë frenat me defekt.